Dhuna në media rrit fëmijë të dhunshëm!
Shoqëria moderne është e ekspozuar ndaj një doze masive dhune që shfaqet përditë në media. Përveç faktit që shfaqet më shpesh, dhuna në media shfaqet në mënyrë shumë më të hapur, shumë më sadiste dhe me natyrë më seksuale. Duke përfshirë këtu fusha si kinematografia, interneti apo muzika – ku videoklipet me pamje të dhunshme, skena seksi dhe përdorimi i fjalorit banal janë bërë mëse normale në industrinë e massmedias.
Programacioni televiziv për fëmijë zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e tyre. Shumë nga ne kanë parë jo rrallë që fëmijët, pasi të kenë parë një film vizatimor apo program të dedikuar për moshën e tyre të imitojnë personazhe të caktuara.
Sipas AMA-s Në periudhën janar–prill 2013, janë marrë masa për problematika të ndryshme të fushës së programacionit. Këto problematika, të lidhura kryesisht me përmbajtjen dhe etikën e programeve audiovizive, përfshijnë çështje që mbeten gjithnjë të mprehta dhe shqetësuese, si: Shkelja e të drejtës së privatësisë; Keqpërdorimi i gjuhës dhe dhunës në ekran; Cenimi i dinjitetit të fëmijëve në programet me dhe për fëmijë; Identifikimi i fëmijës e viktimave në programet informative e në intervistime; Keqpërdorimi i fjalorit dhe gjuhës në disa programe argëtuese; Transmetimi i disa filmave e progameve pa shenjat paralajmëruese; Shkeljet etike në reklamat, në komunikimet e ndryshme tregtare etj.
Sipas pedagogut te Etikes në Media në Universitetin e Tiranës, Bashkim Gjergji, qasja e shumë mediumeve ndaj ngjarjeve të ndryshme dhe protagonistëve të tyre kushtëzohet shpesh nga forcat e presionit të jashtëm e të brendshëm, nga niveli (jo)profesional, nga perceptimi i përmbajtjes mediatike vetëm e thjesht si produkt i industrisë së medias apo nga nxitimi “për të qenë të parët” në tregun mediatik – dukuri këto që cënojnë nivelin etik dhe shërbejnë si lëndë e pare për analizën dhe kritikën e medias.
Stereotipe si ndërhyrja në jetën private të tjetrit, ngjyrosja e portreteve publike sipas interesave pro a kundër të klaneve të caktuara politike, përgojimi publik, përdorimi i një gjuhe jo të kujdesshme për minoritetet apo racat me ngjyrë, ndaj kategorive të caktuara të popullsisë (për minoritetet seksuale), prezantimi i gruas shpesh si objekt kënaqësie apo evidentimi “i hireve femërore” në vend të trajtimit të një sërë çështjesh, që lidhen me pozitën e saj në shoqëri, karrierën në politikë e gjetkë, mosrespektimi i titujve të hierarkisë fetare, tallja publike me individë me aftësi të kufizuara mendore, etj. janë disa nga rastet e shkeljeve etike, që meritojnë vëmendjen e rretheve mediatike dhe hapjen e diskutimeve brenda e jashtë redaksive thekson Prof Bashkim Gjergji në një intervistë për Institutin e Medias.
Shqetësimi më i madhë per programet për fëmijë qëndron te përmbajtja dhe mesazhi i përcjellë me anë të filmave të ndarë për grupmosha të ndryshme. Në një numër të madh realizimesh për fëmijë hasim skena, të cilat kurrsesi nuk përputhen me realitetin. Nga ana tjetër, përjetimet emocionale, ndjenjat e dashurisë midis heronjve, puthjet midis personazheve serviren në ekranet televizive duke i bërë ato pjesë të jetës fëminore që në moshë mjaft të vogël.
Marinela Gremi, Historia-ime.com