Vrasja e paralajmëruar e 8- vjeçarit me iniciale M. V në Fier nga Klodian Çalamëni ka kthyer përsëri në tavolinën e diskursit publik temën e dënimit me vdekje. Një reagim i tillë është normalisht i pritshëm në kushtet e tronditjes që pëson mendja e njeriut, kur mëson për ndodhi të tilla shumë larg njerëzores.
Sigurisht që do të ish e udhës të përmendim edhe raportimin detajist të medias shqiptare, e cila kujdeset veçanërisht në përcjelljen e detajeve më eksplicite të ngjarjeve të tilla, duke i hedhur kështu edhe më shumë benzinë zjarrit të inatit publik. Megjithatë media aq e kujdesshme për detajet e vrasjes së një vogëlushi, si duket e la në hije raportimin e marshimit organizuar nga një sërë organizatash.
Marshimi në fjalë kundër dhunës ndaj fëmijëve, mblodhi në shesh shumë më pak persona se mitingjet politike të disa muajve më parë. Megjithatë, rrjetet sociale ende gëlojnë nga turma që kërkon dënim me vdekje nga kolltuku ose divani. Nga ana njerëzore është shumë e kuptueshme revolta e një populli qe fle dhe zgjohet duke lexuar kronikën e zezë, por, kujt do t’ia besoni dënimin me vdekje?! Të njëjtës drejtësi tek e cila nuk keni besim që në krye të herës?!
Drejtësisë që dënoi Çalamënin me 3 vite e gjysëm burg për rrëmbim personi? Apo asaj drejtësie që në vitin 2003 i dha babait 18 muaj burg për vrasjen e të bijës?!
Sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për Kriminalitetin, në Shqipëri u regjistruan vitin e kaluar 48 procedime për keqtrajtim të të miturve nga 27 që ishin regjistruar në vitin 2019, me një rritje prej rreth 78%. Sipas statistikave zytare në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit kanë ndodhur mbi 300 sulme seksuale ndaj të miturve. Ekspertët thonë se dhuna seksuale mendohet të jetë në shifra më të larta, pasi sipas tyre ajo nuk raportohet në shumicën e rasteve.
Këto shifra e bëjnë më absurde histerinë e ditëve të sotme, krahasuar kjo me apatinë madje dhe indiferencën që tregon shqiptari mesatar sa herë grupe të caktuara dalin në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre.
Ajo që duhet të kuptojmë në këtë pikë është fakti që jetojmë në një shtet ligjor dhe duhet të përdorim mekanizmat ligjore për të dënuar fajtorin e rastit në fjalë por edhe për të evituar rastet e tjera. Por edhe opinioni publik mund të ushtrojë presion mbi organet ligj zbatuese. Fjala vjen, do të ishte mirë sikur të mbusheshin sheshet njëlloj sa mbushen për mitingjet partiake edhe në rastet kur kemi të bëjmë me krime kundër individit. Kjo do t’ua shtojë presionin institucioneve, në mënyrë që gjithësecili ta bëjë detyrën si duhet pa arritur në krime makabër si ai që dëshmuam ditën e martë. Gjithshtu duhet të përmendim se edhe në rast të rikthimit të dënimit me vdekje, i pandehuri Çalamëni, sigurisht që nuk do të mund të dënohej me vdekje pasi ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Por edhe për rastet e tjera, dënimi me vdekje kurrsesi nuk mund të jetë zgjidhje, pasi duke vrarë nuk mund t’u mësosh njerëzve, që të vrasësh është gabim./Arjola Hajdini