Çdo vit mbi 200 fëmijë me probleme me shikimin në QSUT
Numri i fëmijëve me probleme në shikim po rritet çdo ditë. Përdorimi i tepruar i pajisjeve teknologjike është një prej faktorëve që shkakton pasoja negative në shikimin e fëmijëve, të cilat jo rrallëherë përfundojnë me dëme të mëdha.
Mjekja pediatre okuliste, Eneda Rustemi, thotë se gjatë një viti në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” paraqiten rreth 200 raste fëmijësh me probleme të rënda në shikim. Pa llogaritur që fëmijët për arsye të sistemit të referimit bëjnë vizita dhe në poliklinikat e qytetit.
Sipas mjekes, shkakëtarët kryesor janë përdorimi pa kriter i teknologjisë nga ana e fëmijëve që në moshë të vogël. Ekspozimi ndaj qëndrimit përpara këtyre ekraneve ndikon në tharjen e filtrit të lotit të syve, tharjen e kornesë, djegie, lodhje dhe në fund me shtimin e dëmtimit të refraksionit. Shkaqet të tjera janë, ndotja e ambientit, prishja e shtresës së ozonit, ekspozimi në diell, mënyra e ushqimit të fëmijës dhe të nënave gjatë shtatzënisë.
Por nga ana tjetër, mjekja sqaron se jo domosdoshmërisht mund të jetë rritur numri i pacientëve, pasi kjo lidhet edhe me ndërgjegjësimin e prindërve për t’i kontrolluar fëmijët që në moshë të vogël.
“Prindërit janë bërë më të ndërgjegjshëm për të çuar fëmijët e tyre që në moshë të vogël tek okulisti. Kjo për shkak të informacioneve të shumta që marrin ata nëpërmjet mjekut të familjes, çerdhes, kopshtit ose shkollës. Me këtë dua të them që mbase nuk është numri i rritur i fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e syve, por ndoshta po zbulohen tani në masë më të madhe”. /m.g
Burimi: Gazeta Shqip