85.000 fëmijë të vdekur nga uria në Jemen

Jemeni është prej muajsh në zi buke. Shteti i dobët i Lindjes së Mesme, është në kulmin e një krize humanitare, që nisi fillimisht si kryengritje kundër regjimit gjatë pranverës arabe, e u kthye më pas në një luftë civile dhe konflikt rajonal që përfshiu Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Paralajmërimet dhe apelet nga organizatat ndërkombëtare kanë qenë të shumta gjatë muajve të fundit për dhënien fund të krizës dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e saj.
Ditën e djeshme, një grupim organizatash humanitare publikoi një shifër alarmante e cila tregon dhe se sa e vështirë paraqitet situata. Sipas vrojtimeve të kryera, mendohet se gjatë 3 viteve të fundit të luftimeve, rreth 85.000 fëmijë të moshës nën 5 vjeç kanë humbur jetën nga uria dhe kequshqyerja. Numri është i barabartë me të gjithë popullsinë nën pesë vjeçare në qytetin e dytë më të madh të Britanisë së Madhe në Birmingham, shton Save the Children.
OKB paralajmëroi muajin e kaluar se deri në 14 milion jemenas janë në krizë urie dhe se po vazhdon përpjekjet për rinisjen e bisdimeve shumëpalëshe, për t’i dhënë fund luftës trevjeçare dhe konfliktit civil në vend.
Të paktën 6,800 civilë janë vrarë dhe 10,700 kanë mbetur të plagosur në luftë, sipas të dhënave të OKB. Lufta dhe një bllokadë e pjesshme nga koalicioni kanë lënë gjithashtu 22 milionë njerëz që kanë nevojë për ndihmë humanitare, kanë krijuar një emergjencë për sigurinë ushqimore dhe kanë çuar në shpërthimin e kolerës që ka prekur 1.2 milionë njerëz./ k.j