8 fëmijë humbin çdo ditë në plazhin e Durrësit
Humbja e fëmijëve në plazhet e mbushura me pushues është një prej problemeve më shqetësuese të këtij sezoni. Në mungesë të rojeve të plazhit, barra për gjetjen e tyre, përveç familjarëve të alarmuar, bie mbi policinë dhe qytetarët.
Çdo ditë raportohen në polici 6-8 raste personash të humbur, kryesisht fëmijë, në plazhet e Durrësit. Prindërit pranojnë se ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm, po kërkojnë dhe praninë e mbështetjen e rojeve të plazhit, që këtë sezon veror mungojnë.
Pavarësisht masave të marra për rritjen e sigurisë për pushuesit, Policia e Durrësit apelon për më shumë kujdes nga prindërit.
Policia thotë se prindërit apo shoqëruesit e fëmijëve në plazh duhet të tregojnë mjaft kujdes për të mos i humbur nga sytë, por duhet dhe t’i edukojnë në rast se ndodh shkëputja, që të mos përfshihen nga paniku, por të kërkojnë ndihmë. Madje, t’u mësojnë numrin e tyre të telefonit, ose për fëmijët më të vegjël ky numër t’u shkruhet në veshjet e tyre.
Një tjetër këshillë për prindërit është të mos humbasin kohë, nga momenti që konstatojnë humbjen e fëmijës, pasi kjo e bën më të vështirë gjetjen e tyre.
Në plazhet si ai i Durrësit që ka fluks të madh pushuesish, mungesa e rojeve bregdetare krijon mjaft probleme. Kullat e vrojtimit ndërkohë qëndrojnë në plazhe, edhe pse janë të gjitha bosh. /Gazeta Shqip