66 % e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk marrin shërbimet nga arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale
55% e prindërve me aftësi të kufizuara pohojnë se e kanë shumë të vështirë të përballojnë shpenzimet për marrjen e shërbimeve shoqërore dhe shëndetësore që u duhen fëmijëve të tyre, tregon një studim i kryer nga tre organizata jo qeveritare.
Organizatat Save The Children, World Vision dhe Fondacioni për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara kanë studiuar gjendjen ekonomike të familjeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara si dhe shërbimet e specializuara që qeveria ofron për fëmijët e kësaj kategorie.
Të dhënat e mbledhura tregojnë për një gjendje alarmante sa i përket shërbimeve shoqërore dhe shëndetësore që u ofrohen këtyre fëmijëve.
Sipas studimit 66% e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk marrin shërbimet nga arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale dhe vetëm 8% e tyre marrin shërbime të specializuara.
60% e fëmijëve kanë marrë diagnostifikim nga mjeku i familjes dhe jo nga specialistët, e ndërsa familjet e tyre kanë të ardhura të pakta.
Për sa i përket arsimimit të këtyre fëmijëve, studimi ka zbuluar se 25% e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk ndjekin një institucion të arsimit parauniversitar.
Të dhënat e këtij studimi kanë treguar për një mungesë të theksuar në ofrimin e shërbimeve sociale, shëndetësore dhe arsimore për fëmijët e kësaj kategorie.
Kliko këtu për të shkarkuar raportin e plotë./M.B