45% e 11-vjeçarëve nuk dinë të zgjidhin ekuacionet
Raporti publik i vlerësimit kombëtar ka nxjerrë disa përfundime zhgënjyese në lidhje me nxënësit e klasave të 3-ta dhe të 5-ta të arsimit të detyruar. Testimi është bërë për 3 lëndë specifike, Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Dituri Natyre. Nxënësit e klasave të pesta në nivel kombëtar nuk dinë të shkruajnë numërorët e dhënë me fjalë; nuk dinë të kryejnë veprime matematike; nuk dinë të bëjnë rrumbullakimin e numrave të plotë dhe nuk dinë të zgjidhin ekuacionet, kjo është një prej gjetjeve skandaloze të raportit.
Në raport theksohet se përsa i përket klasave të 3-ta, nxënësit e qytetit kanë arritje thuajse të njëjta me ata të fshatit; vajzat kanë arritje pak më të larta se djemtë; shkollat private kanë arritje më të larta se ato publiket; mesataren më të lartë të pikëve e ka Gramshi, Devolli dhe Gjirokastra; DAR/ZA-të që janë me pikë nën mesataren e vendit janë Bulqiza, Kurbini.
Ndërsa për nxënësit e klasave të 5-ta, mesataren më të lartë të pikëve e ka Gjirokastra, Pogradeci dhe Shkodra; DAR/ZA-të që janë me pikë nën mesataren e vendit janë: Bulqiza, Hasi, Kruja, Kurbini, Mati, Puka, Tepelena, Skrapari, Berati dhe Dibra.
Por, krahas rezultateve në të renditen edhe shkaqet që kanë ndikuar në nivelin e dobët të nxënësve në këto tri fusha, që shkurtimisht janë: mësuesit që kanë dhënë mësim jashtë profilit; cilësia e dobët e teksteve shkollore si edhe orët e reduktuara që u janë lënë këtyre lëndëve në programin shkollor të ciklit të detyruar.
Klasa e 3-të
Përsa i përket nxënësve të klasave të treta, “27% e nxënësve, në matematikë, nuk dinë të shkruajnë numërorët e dhënë me fjalë dhe anasjelltas”, thuhet në raportin kombëtar të MAS, për arritjet e nxënësve të klasës së 3.
Sipas tij, dobësi paraqesin në zgjidhjen e ekuacioneve e inekuacioneve, si dhe veprimet me shumëfishat e numrave. “Dobësi akoma më të mëdha paraqesin në njohuritë gjeometrike dhe në zgjidhjen e problemave”.
Klasa e 5-të
Referuar gjetjeve të tij: 32% e nxënësve, në matematikë, nuk dinë të shkruajnë numërorët e dhënë me fjalë, dhe gati gjysma e nxënësve nuk dinë të kryejnë veprime matematike; 43% e nxënësve nuk dinë të zgjidhin ekuacionin; 51% e nxënësve dinë të kryejnë saktë veprimet me thyesa.
Shqetësues mbetet përvetësimi i njohurive gjeometrike, ku 45% e nxënësve marrin 0 pikë, ndërsa në lëndën e diturisë së natyrës, nxënësit paraqesin vështirësi në pyetjet e hapura, ku duhet të shkruajnë apo të japin argumente.Vlerësimi kombëtar për klasën e 3-të dhe të 5-të u realizua përmes një testi të vetëm, që përbëhej nga 33 kërkesa (për të tri lëndët) për klasën 3, dhe 28 kërkesa për klasën e 5.
/Gazeta Shqip