1 qershori: Studentët e Infermierisë, dhurata për fëmijët në nevojë
Tashmë është bërë traditë që për 1 qershorin, e njohur ndryshe si “Festa e Fëmijëve”, të merren iniciativa të ndryshme për t’i bërë edhe fëmijët që nuk kanë mundësi, të gëzojnë në festën e tyre.
Disa prej studentëve të vitit të parë në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë, kanë zgjedhur Qendrën Komunitare Dite e Re në Bathore për të shpërndarë dhurata.
Qendra “Dita e Re” merret me fëmijët në nevojë si dhe ofron përkujdesje ditore për fëmijët autikë. Gjithashtu, kjo qendër iu ofron edhe përkujdesje shëndetësore dhe fizioterapi falas, familjeve në nevojë të zonës së Bathores, që konsiderohet një prej zonave më të varfëra në Tiranë.
Marsida Llulla, një prej studentëve të pranishëmn, tha për Historia Ime se u mblodhën rreth 100 dhurata që përfshinin veshje, libra dhe artikuj të tjerë shkollorë që studentët i kishin bërë me shumë dashuri.
“Ishte një kënaqësi e veçantë të shikoje fytyrat e atyre fëmijëve të lumtur, pasi vinin nga familje me vështirësi të mëdha ekonomike. Kishte madje edhe familje me nga 8 fëmijë dhe pavarësisht se dhuratat tona ishin shumë modeste, gëzimi në fytyrat e tyrë ishte shumë i madh”,– tha Matilda Gremi, një tjetër prej studentëve të Infermierisë. /H.I