Studim/ Martesat nën moshë në Shqipëri
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, ka ndërmarrë një nismë për “Parandalimin e martesave të hershme në Shqipëri”. Iniciativa evidenton situatën aktuale dhe thekson domosdoshmërinë për ndërhyrje.
Në kudër të projektit është bërë një studim i situatave specifike rreth grave që kanë përjetuar martesën nën moshë në komunitetin Rom në Vlorë dhe Korçë. Janë intervistuar gjithësej 102 femra, mes të cilave 31 janë bërë pjesë e një martese të hershme (para moshës së lejuar – 18 vjeç) në Korçë dhe 50 në Vlorë.
Një nga problematikat që bië në sy, është se grupmosha dominuese e grave të martuara në moshë të hershme sot është mes moshës 26 dhe 35 vjeç. “Kjo moshë relativisht e re tregon se fenomeni i martesave të hershme është në rritje dhe është i lidhur ngushtë me ndryshimet social-ekonomike që Shqipëria i’u nënshtrua pas vitit 1991”, thuhet në raportin e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve.
Një tjetër gjetje e studimit tregon se femrat që janë pjesë e martesave të hershme janë bërë nëna në kryesisht gjatë moshës 17 -18 vjeçe. Konkretisht në Korçë kjo përbën 58% të rasteve ndërsa në Vlorë 84%.
Në Korçë diferenca e moshës midis bashkëshortëve varion nga 2 deri në 10 vjet. Ndërsa në Vlorë është i shpërndarë nga 2 deri në 20 vjet.
Përsa i përket karakteristikave të familjeve të femrave që janë bërë pjesë e martesave të hershme, studimi tregon se ato vijnë nga familje me shumë fëmijë (4-8 fëmijë) dhe kryesisht janë fëmijë të dytë ose të tretë ato që martohen para moshës 18 vjeç.
Ndër arsyet që ato janë martuar në moshë të hershme, lidhen fillimisht me gratë që bien në dashuri, së dyti me varfërinë dhe gjendjen e vështirë ekonomike në familje dhe së treti me mentalitetin dhe zakonet kulturore.
Projekti i Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, i mbështetur nga Fondi Kanadez për Nismat Vendore, thekson se ndërthurja dhe intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta mbi martesat e hershme në kontekstin shqiptar është nje nevojë imediate. /m.g