Si kanë ndryshuar shpenzimet e familjeve shqiptare për konsum mujor, nga viti 2007 në 2014
Krahasimi i shpenzimeve mesatare për konsum mujor në vitin 2014 dhe 2009 tregon për një ulje të buxhetit për ushqime dhe pije joalkoolike me 5,3%, dhe rritje të buxhetit për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira të paguar. Grupet e tjera me rritje më të madhe të shpenzimeve për konsum, janë komunikimi ndjekur nga shërbimet e arsimit, përkatësisht me 13,1 dhe me 11,4%.
Me shpenzime familjare për konsum, kuptojmë çdo lloj blerje produktesh dhe shërbimesh për të plotësuar nevojat individuale të njësisë ekonomike familjare të zhveshura nga investimet, blerjet e pajisjeve afatgjata dhe qirasë. Pra, e thënë më shkoqur, çfarë del nga portofoli i familjeve shqiptare për shpenzimet më frekuente, kryesisht në vlerë monetare.
Në një intervistë për revistën ekonomike Monitor, drejtori i përgjithshëm i INSTAT, Gjergji Filipi thotë se vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të njësive ekonomike familjare me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri, në vitin 2014 ishte 5,6% më i lartë i krahasuar vitin 2009. Nëse konsiderojmë shpenzimet mesatare mujore për frymë në periudhën një-vjeçare të kryerjes së anketës, rezulton se një individ në Shqipëri shpenzon mesatarisht rreth 18 mijë lekë në muaj për konsum nga të cilat: 8 mijë lekë për konsum ushqimor dhe 10 mijë lekë për konsum joushqimor.
Shpenzimi mesatar për frymë për konsum ushqimor ndaj shpenzimeve gjithsej në vitin 2014, ulet nga 50% në vitin 2009, në rreth 44% në vitin 2014.
Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes vlerësohet se totali i shpenzimeve mujore për konsum të familjeve për vitin 2014 është rreth 52.6 miliardë lekë në muaj, në vitin 2009 ishte rreth 49 miliardë lekë në muaj, ndërsa në vitin 2007 ishte rreth 52 miliardë lekë në muaj.
Në vitin 2014, numri i familjeve në Shqipëri vlerësohet të jetë rreth 758 mijë, në vitin 2009 ishte rreth 747 mijë dhe në vitin 2007 ishte rreth 752 mijë.
Shpenzimet mesatare për ushqime dhe pije joalkoolike në vitin 2009, janë ulur me 1,6% krahasuar me vitin 2007. Uljen më të theksuar e kanë pasur shpenzimet për shëndet përkatësisht me 36,7% ndaj vitit 2007. Edhe shpenzimet për argëtim dhe kulturë apo shpenzimet për mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës kanë pësuar ulje të konsiderueshme përkatësisht prej 29,5 dhe 21,2% krahasuar me 2007.
Rritjet më të larta të shpenzimeve për konsum, familjet i kanë bërë për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira të paguar. Kjo rritje ka qenë prej 16,3% në vitin 2009 krahasuar me vitin 2007. Grupet e tjera me rritje më të madhe të shpenzimeve për konsum në vitin 2009 krahasuar me vitin 2007, janë komunikimi ndjekur nga shërbimet e arsimit, përkatësisht me 13,1 dhe me 11,4%.
Grupet që kanë regjistruar rritjet më të larta të shpenzimeve për konsum janë “Arsimi” me 118,6% dhe “Shëndeti” me 85,2%. Grupet e tjera me rritje të shpenzimeve për konsum janë “Argëtim dhe kulturë” me 43,2%, “Transport” me 25,5%, “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar” me 19,3%, “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” me 17,3%.