Si i përjetojnë fëmijët, divorcet e prindërve
Kur një çift divorcohet, ata që vuajnë më shumë pasojat janë fëmijët, të cilët janë më të ekspozuar ndaj faktorëve që ndikojnë në cënimin e mirëqenies së tyre, jo vetëm ekonomike por mbi të gjitha të ngarkesës së madhe psikologjike që përjetojnë.
Reagimet emocionale të fëmijës në momentin që mëson ndarjen e prindërve janë të ndryshme. Ata që e përjetojnë më shumë janë fëmijët djem, sidomos kur janë në moshën e adoleshencës.
Sipas psikologëve, në këtë moshë, fëmija krijon personalitetin e tij dhe figura e babait në jetën e tij është mjaft e rëndësishme. Për djemtë, babai është figura kryesore që iu shërben si model edukimi. Fëmija që nuk e ka këtë model në shtëpi, mund të priret drejt modelit të një personi të gabuar.
Përjetimi që shfaqin fëmijët mund të jetë në forma të ndryshme. Shumë prej tyre janë agresivë me të gjithë personat që i rrethojnë, me bashkëmoshatarët në shkollë, me mësuesit etj. Ata mbështillen nga një gjendje alarmi dhe paniku dhe shpesh mund të jetë e nevojshme ndërhyrja e një specialisti apo e psikologut në shkollë në mënyrë që fëmija të ndihmohet për ta menaxhuar sa më mirë këtë gjendje.
Disa nga përjetimet e fëmijëve janë grindjet, agresiviteti, mungesa e humorit, çrregullime të gjumit, mungesë oreksi, ndjenja e pakënaqësisë ndaj lodrave, mungesa e dëshirës për t’u përfshirë në lojëra me shokët etj. Këto janë më të dukshme në dy vitet e para pas divorcit.
Disa nga format e përjetuara të fëmijëve janë ndjenjë faji dhe izolimi, pakënaqësi ndaj gjithçkaje, mungesë oreksi, sjellje armiqësore, çrregullime me gjumin etj.
Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare