Shoqëria shqiptare, vendi ku gratë u kërkojnë falje burrave përse raportuan dhunën
Ditën e shtunë në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” u njohëm me historinë e Elidës, e cila rrëfeu historinë e saj të dashurisë me Arjanin. Të bindur për dashurinë e tyre, pas një jave njohje, ata kishin vendosur që të lidhnin jetën së bashku. Në një nga debatet e zhvilluara Arjani kishte ushtruar dhunë fizike ndaj Elidës, e cila e kishte denoncuar në polici dhe kishte sjellë dënimin e tij me 8 muaj burg.
Në emision nuk mungonte paraqitja me nota romantike e lidhjes së dy të “dashuruarve” dhe ekzistenca e dhunës në marrëdhënie trajtohej si një peripeci normale e lidhjes e si një fenomen që ndodh rëndom e pranohet gjerësisht. Elida, rrëfyesja e ngjares, pa dyshim mund të duket si një përfaqësuese e shumicës së grave dhe vajzave në shoqërinë tonë, të cilat rriten me idenë se xhelozia dhe dhuna nuk janë asgjë nëse bëhet fjalë për mbajtjen e “familjes” së bashkuar.
Ajo në emision i kërkonte falje Arjanit, jo vetëm që kishte marrë guximin të raportonte dhunën, por edhe se gjatë muajve kur ai po shlyente dënimin, guxoi dhe të krijonte një marrëdhënie me një person tjetër.
Sigurisht që marrëdhënia e tyre është diçka krejt private për të cilën nuk kanë pse të komentojnë mediat, por trajtimi romantik që i bëhet fenomenit të dhunës në një emision të transmetuar në fashën më të ndjekur orare, është një veprim shqetësues.
Në shoqërinë tonë gruaja vazhdon ta shohë veten si më inferiore se burrat dhe një gjeneratë e tërë vajzash vazhdon ende të rritet në familje ku u mësohet se për dhunën duhet heshtur për hir të mbajtjes gjallë të një lidhjeje që mund të jetë e vdekur që në gjenezë.
E në fund duke i uruar jetë të lumtur çiftit dhe suksese emisionit, shpresojmë që në episodet e ardhshme fenomeni i dhunës dhe të mund të dënohet tek tuk, se janë të shumta gratë e dhunuara që kërkojnë shpresë dhe mbështetje për të denoncuar dhunën dhe terrorin ku jetojnë, dhe më e pakta që mund të bëjmë është të mos promovojmë histori të tilla si histori lumturie. /k.j