Një në dy gra shqiptare, kanë përjetuar dhunë së paku një herë gjatë jetës së tyre. Ditën e sotme është publikuar nga UNDP Albania, një prej gjetjeve të anketës së popullsisë kombëtare “Dhuna kundër grave”.
Pas anketimit të parë dhe të dytë kombëtar (2007, 2013), të cilët përqendrohen vetëm në dhunën në familje, anketa e vitit 2018 përveç dhunës në familje dhe partnerët intimë, piketon për herë të parë të dhëna mbi natyrën dhe prevalencën e formave të tjera të dhunës: dhuna nga jo partnerët, ngacmimi seksual, apo përndjekja, duke sjellë kështu gjetjet mbi normat shoqërore që lidhen me dhunën ndaj grave.
65.8% e grave të anketuara, tregojnë se kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre, 47% kanë përjetuar dhunë familjare; 1 në 5 gra kanë përjetuar dhunë fizike dhe / ose seksuale dhe 18.2% e grave kanë përjetuar dhunë jo-partnere.

Anketa zbulon se 18.1% e grave, kanë përjetuar ngacmime seksuale gjatë jetës së tyre dhe 12.6% e grave kanë përjetuar përndjekje (stalking).
Anketa sjell të dhëna për pranimin e dhunës kundër grave, në mesin e burrave dhe grave në Shqipëri. Gjetjet zbuluan se 1 në 2 gra, mendojnë se dhuna ndërmjet një burri dhe një gruaje është çështje private; dhe 46.5% e grave besojnë se një grua duhet ta tolerojë disi dhunën, për ta mbajtur familjen e saj të bashkuar; 26.1% e grave besojnë se një grua duhet të ketë turp dhe se nuk mund të flitet me këdo, nëse është përdhunuar.
Të gjitha gratë e anketuara, thanë se dhuna familjare, dhuna seksuale, ngacmimet dhe përndjekja, janë shqetësime të mëdha për shoqërinë shqiptare. 83% e tyre besojnë, se vendi duhet të ketë ligje që mbrojnë gratë dhe vajzat nga dhuna në martesë / familje dhe 81, 9% mendojnë se është e nevojshme të kemi një legjislacion që i mbron ato nga sulmet seksuale dhe përdhunimi.
Brian Williams Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri shprehet: “Duke marrë parasysh këto gjetje, bëhet i domosdoshëm forcimi i politikave, planeve të veprimit, duke përfshirë legjislacionin që mbron gratë dhe vajzat nga të gjitha format e dhunës, duke përfshirë format e reja ose të sapo pranuara të dhunës ndaj grave, si ngacmimi seksual dhe përndjekja, si dhe format e tjera të dhunës që janë nën-raportuar prej grave në polici apo agjencitë e drejtësisë dhe organizatat për mbështetjen e viktimave “.
Anketa u zhvillua në 12 prefektura të Shqipërisë, me një kampionim prej 3,443 familjesh, ku u intervistuan gratë e moshës 18-74 vjeç; 42,4% e grave të anketuara kishin arsim të mesëm të ulët (8-9 vjeçar), 27,8% kishin arsim të mesëm të lartë dhe 19.7% e tyre kishin një arsim universitar; vetëm 7.7% e grave kishin vetëm arsim fillor.
Anketa u krye nga INSTAT në partneritet me UNDP dhe UN Women, me financim nga Qeveria e Australisë në kuadër të projektit rajonal të UN Women për statistikat gjinore “Women Count” dhe Qeverisë së Suedisë në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Ndalimi i Dhunës ndaj Grave në Shqipëri”.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.
Artikuj të rekomanduar
- Vala e politikave konservatore sinjalizon me ndalimin e abortit
- Dokumentari shokues që trajton abuzimet seksuale të klerit polak
