Prezantohet drafti i parë i projektligjit për strehimin; Kriteret për përzgjedhjen e familjeve përfituese
Ministria e Zhvillimit Urban ka paraqitur draftin paraprak për ligjin për strehimin. Ligji i ri do të ketë 6 programe strehimi, duke ofruar më shumë mbështetje për kategori të caktuara që nuk përfshiheshin në programet e mëparshme.
Krahas programit të banesave sociale me qira dhe shpërndarjes së banesave me kosto të ulët, janë përfshirë edhe përmirësimi i kushteve të banesave ekzistuese apo programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi.
Dy nga risitë e ligjit për strehimin, janë krijimi i banesave të përkohshme dhe ndërtimi i banesave të specializuara. Me strehim të përkohshëm kuptohet strehimi për një afat jo më të gjatë se dy vjet. Nga ana tjetër, ndërtimi i banesave të specializuara nënkupton krijimin e kushteve për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, të miturit që nuk jetojnë me prindërit si dhe nënat e vetme.
Një nga problemet e deritanishme ka qenë me familjet me të ardhura jo të mjaftueshme për të përfituar nga programet e strehimit. Sipas draftit të ri, “programet sociale të strehimit shoqërohen me programe të tjera të shërbimeve sociale si ato të punësimit, arsimimit, kujdesit shëndetësor etj”.
Kriteret për përzgjedhjen e familjeve përfituese janë:
1. Kushtet e strehimit
Nuk disponojnë banesë në pronësi;
Banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;
Banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;
Kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore, ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.
2. Kushtet familjare
Familjet një prindërore, që kanë në ngarkim fëmijë;
Të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;
Familjet me më shumë se katër fëmijë;
Çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç
3. Kushtet sociale
Personat me aftësi të kufizuara;
Personat me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore e deri në moshën 30 vjeç;
Emigranti i rikthyer, punëtor emigrant;
Familjet e policëve të rënë në detyrë;
Viktimat e dhunës në familje;
Viktimat e trafikimit;
Komuniteti rom;
Komuniteti egjiptian;
Të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;
Të rejat nëna, që bëhen nëna të vetme
/m.g/