Pabarazia ekonomike: Të varfrit mbeten të varfër, të pasurit shpenzojnë gjithmonë e më shumë
Thellohet pabarazia ekonomike në Shqipëri, të varfrit mbeten të varfër, ndërsa të pasurit shpenzojnë gjithmonë e më shumë.
Konsumi mesatar i familjeve shqiptare u rrit me 4.2% krahasuar me një vit më parë. Por ajo çka bie në sy është fakti se rritja ka ardhur nga rritja e fortë e shpenzimeve të 10 përqindëshit më të pasur të popullsisë ndërsa 90% i mbetur nuk arrin të kalojë as normën e inflacionit.
Këto janë të dhënat e raportit mbi Anketën e Buxhetit të Familjeve, një studim që ka matur konsumin e rreth 6 mijë familjeve në të gjithë Shqipërinë.
Familjet që bëjnë pjesë në 10 përqindëshin e pasur ka shpenzuar 14.5% në vitin 2016, çka do të thotë se shpenzimet janë rritur nga 138,700 lekë në muaj (2015) në 158,946 lekë në muaj (2016).
Ndërsa 90% i mbetur i popullsisë konsumon 63,600 lekë në muaj në 2016, vetëm 400 lekë më shumë se në vitin 2015 ku shpenzonte 63,200 lekë në muaj.
Për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarët?
Torta e shpenzimeve mujore ndahet sipas 12 grupeve kryesore të konsumit. Grupi me peshën kryesore, 45.2% “Ushqime dhe pije – jo alkoolike” ka shënuar një rënie me 3.5% krahasuar me vitin e kaluar. Këto para kanë shkuar tek shpenzimet në grupet “Arsim” dhe “Komunikim” të cilat kanë shënuar rritjen më të madhe.
Infografikë: Shpenzimet për konsum 2016 sipas INSTAT
Anketa e buxhetit të Familjes është një studim i cili jep një panoramë të situatës socio-ekonomike, duke analizuar gjendjen ekonomike të rreth 6.000 familjeve të shpërndara në mënyrë uniforme në territorin e Shqipërisë. /l.k./