Opinion/ Odiseja në mbrojtje të shtëpisë

Paraditen e 11 marsit banorët e zonës pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” janë përballur me mësymjet e dhunshme të forcave policore dhe në në anën tjetër me ulërimat e vajtimet posaçërisht të pesë familjeve, të cilat prekeshin drejtpërdrejt prej raprezaljeve në pronën e tyre.
Zanafilla e këtij konflikti daton hershëm, ku në fakt çështja është adresuar në gjykata, bashki a zyra përmbarimi prej vitesh, mirëpo pa marrë zgjidhje zyrtare. Sipas dokumentave që zotërojnë banorët e ndërtesës në hapësirën që figuron shtetërore, kjo nuk i ka penguar ish-pronarët që të ndihmuar prej “pushtetit” të disa përmbaruesve ditën e djeshme, të ngrenë pretendime pronësie sërish dhe të ndërhyjnë forcërisht në pronën e këtyre familjeve.
Qëndresa spontane fizike e banorëve që ndodheshin në shtëpi së bashku me fëmijët e tyre duke bllokuar rrugën dhe duke penguar të kalojnë portën e ndërtesës së tyre për të mos e prishur, ka bërë që opinioni publik t’u vijë në mbrojtje duke marrë shkas nga rezistenca dhe stoicizmi i tyre.
Në tjetrën anë, kemi shtetin i cili veçse i vonuar dhe i papranishëm në dhënien e drejtësisë, në fakt i kontribuon situatave të tilla me anë të politikave të tij. Viteve të fundit, jemi përballur me fushata masive privatizimi dhe ndërhyrje okulte në pronat private, duke i sfumuar me petkun e pushtetit dhe justifikuar nëpërmjet organeve ligjore dhe ekzekutive. Vlen të ndërmendim situatën e pasqaruar dhe kalvarin e qëndresave të banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, çështja e të cilëve ende nuk njeh zbardhje dhe qëndresa e tyre vazhdon ende me demostrata të përditshme.
Sakaq, rezistenca shembullore kundrejt akteve të zbatuara padrejtësisht duke u mbuluar me dorën pushtetit, na bën që të rikthejmë vëmendjen kundrejt të gjitha padrejtësive që ndodhin në vend. Në të tilla kushte, kjo dorë mund të trokasë papritur në dyert e gjithkujt, andaj zgjidhja është të reagojmë bashkarisht deri në zbatim të së drejtës legjitime të çdo qytetari për jetë të sigurtë dhe dinjitoze, të pakërcënueshëm prej forcës së pushtetit dhe pushtetit të forcës.