Një njeri vret veten çdo 40 sekonda. Këto janë shifrat e deklaruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë gjatë një raporti të publikuar ditën e djeshme, duke vënë në dukje faktin alarmant se shumë pak shtete në botë kanë sisteme të sukseshme dhe strategji parandalimi funksionale për fenomenin e vetëvrasjes.
Sipas OBSH, 800.000 njerëz vdesin çdo vit nga vetëvrasja, me mbi tre të katërtat e këtyre vdekjeve që prekin shtetet me të ardhura të ulta ose të mesme.
Vetëvrasja ishte shkaku i dytë i vdekjes në rand botëror për të rinjtë e moshave 15-29 vjeç në vitin 2016, pas aksidenteve rrugore.
Në Evropë, në vitin 2016, 13 në 100.000 vdekje ishin si pasojë e vetëvrasjes, një normë kjo shumë më e lartë nga mesatarja botërore prej 10.5.

Situata në Shqipëri
Situata në vendin tonë gjithashtu duket jo e favorshme, pasi sipas rezultateve të INSTAT për vitin 2018, 1% e totalit të vdekjeve në vend, është shkaktuar nga vetëvrasja.
Në publikimin mbi Shkaqet e Vdekjeve në vitin 2018, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri ishte 21.804 vdekje.
Prej tyre, 218 vdekje janë shkaktuar nga vetëvrasja.
Në raportin e tyre, OBSH citon rëndësinë për implementimin e strategjive për parandalimin e fenomenit të vetëvrasjes. Duke qenë pjesë e grupit të shteteve me të ardhura të ulta, Shqipëria ka një predispozitë për rritjen e fenomenit, për aq kohë sa institucionet e shëndetit publik dhe mekanizmat e shoqërisë nuk reagojnë ndaj një fenomeni të përhapur, por për të cilin ende nuk flitet mjaftueshëm.