Ndryshime në Kodin e Familjes – Fëmijët do të jepen për birësim kur prindërit nuk interesohen
Qeveria ka hartuar një projektligj të ri në Kodin e Familjes, i cili sjell ndryshime në disa pika, fëmijët për të cilët prindërit nuk interesohen, do të jepen për birësim duke kaluar nën kujdesin e institucioneve shtetërore.
“Kur i mituri është gjetur i braktisur ose kur i mituri është lënë nën kujdesin e institucioneve të përkujdesjes sociale, përfshirë spitalet, nëpërmjet një deklarimi me shkrim të prindërve biologjikë për dhënien e tij për birësim, afati prej një viti kufizohet në 3 muaj dhe fillon që nga momenti i gjetjes ose lënies së të miturit.
Konsiderohen të painteresuar për fëmijën, prindërit që vullnetarisht nuk kanë mbajtur marrëdhënie të përzemërta të nevojshme për rritjen e tij dhe që kanë treguar pakujdesi të rëndë në ushtrimin e përgjegjësisë prindërore.
Gjykata i kërkon personit që ka paraqitur kërkesën shpjegime nëse ka bërë përjekje për gjetjen e prindërve biologjikë të fëmijës dhe kthimin e fëmijës në familjen biologjike, nëse kjo është e mundur. Të tilla përpjekje nuk janë të nevojshme në rastin kur fëmija është lënë nën kujdesin e institucioneve të përkujdesjes sociale, përfshirë spitalet, nëpërmjet një deklarimi me shkrim të prindërve biologjikë për dhënien e tij për birësim.
Braktisja nuk deklarohet kur, gjatë afatit një anëtar i familjes ka kërkuar të marrë përsipër rritjen e fëmijës dhe kjo kërkesë është konsideruar në përputhje me interesin e fëmijës”, – janë disa nga ndryshimet që ka propozuar Këshilli i Ministrave.