Mesha 800-orëshe që po mbron familjen e refugjatëve nga dëbimi

Një kishë në Holandë është duke u mbajtur pa ndërprerje, për të mbrojtur një familje nga dëbimi. Mesha deri në këto momente ka kaluar 800 orë shërbim.
Sipas ligjit holandez, punonjësit e policisë nuk lejohen të hyjnë në një kishë, ndërsa po kryen një shërbim fetar. Pra, për më shumë se një muaj, qindra pastorë dhe vullnetarë nga mbarë vendi janë angazhuar të mbajnë shërbimin 24/7 në mbështetje të një familjeje armene, kërkesa për azil e të cilëve është refuzuar.
Theo Hettema, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Ministrave Protestantë në Holandë, tha për CNN se shërbimi do të vazhdojë “aq sa është e nevojshme”.
Familja Tamrazyan, me 5 anëtarë, ikën nga Armenia dhe kanë jetuar në Holandë që nga prilli i 2010-ës, kur aplikuan dhe për marrjen e statusit të azilantit politik. Rasti i tyre u refuzua dhe u lëshua menjëherë një urdhër dëbimi për 5 anëtarët e familjes, të cilët kërkuan ndihmë në kishën e lagjes Bethel të qytetit të Hagës.
Shpresa e vetme e familjes Tamrazyan tani është për ndërhyrjen e qeverisë. Sipas ligjit holandez, ekziston një dispozitë për të ashtuquajturin falje të fëmijëve që kanë jetuar në Holandë për më shumë se pesë vjet. Megjithatë, Martine Goeman, këshilltare ligjore për Mbrojtjen e Fëmijëve në Holandë, thotë se shumica e aplikimeve janë refuzuar deri tani. Drejtues të Kishës deklarojnë se mesha do të vazhdojë deri në ndalimin e urdhërit të dëbimit. / K.j