Maternitetet e Tiranës kryejnë mbi 700 aborte në vit
Më shumë se 700 foshnjave në vit u ndalohet ardhja në këtë botë, pasi nënat e tyre zgjedhin të ndërpresin shtatzëninë në mënyrë të vullnetshme.
Sipas të dhënave nga dy maternitetet kryesore në vend, “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”, rezulton se gjatë vitit 2014 janë kryer 736 aborte vullnetare. Një shifër alarmante, pasi këto janë abortet e deklaruara dhe të kryera para muajit të tretë të shtatzënisë.
Mësohet zyrtarisht se nga këto aborte, 569 për vitin 2014 janë bërë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe 167 në spitalin tjetër “Koço Gliozheni”.
Ajo që vihet re është se në raport me një vit më parë, kemi një rënie të lehtë të numrit të aborteve. Në 6 muajt e parë të këtij viti, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” janë kryer 242 aborte vullnetare, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo shifër ishte më lartë, 316 ndërprerje të shtatzënisë në mënyrë të vullnetshme.
Nënat që zgjedhin të kryejnë një abort janë ato të cilat kanë dy fëmijë dhe për një sërë arsyesh nuk kanë mundësi që të mbajnë edhe një të tretë. Një tjetër kategori femrash që zgjedhin të bëjnë një ndërprerje të shtatzënisë janë edhe ato që i kanë fëmijë jashtë martese apo edhe si pasojë e incestit, i cili është një problem që po haset shpesh së fundmi.
Për sa i përket grupmoshave, dominojnë femrat në moshë të re. Ajo që vihet re është se një numër i madh adoleshentesh drejtohen në maternitete për të kryer abort dhe bëhet fjalë për vajza 15 apo 16 vjeçe. Në përgjithësi femrat që kryejnë aborte nuk janë vetëm nga zonat rurale, por bëhet fjalë edhe për gra që kanë një nivel të caktuar intelektual. Më së shumti janë ato të shkallës së mesme, që drejtohen për të hequr një fetus, i cili për ta është i padëshirueshëm.
Numri i aborteve në këto nivele tregon se në Shqipëri ka një mungesë të theksuar të informacionit në lidhje me planifikimin familjar dhe mjetet mbrojtëse për të shmangur më pas një zgjidhje si aborti. Siç dihet, aborti ka edhe një sërë rreziqesh që nga steriliteti e që mund të çojë deri në humbjen e jetës së nënës.
Burimi: Gazeta Shqip