Ligji për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, 440 raste të trajtuara gjatë 2016
Ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, sipas të cilit çdo njësi administrative duhet të ketë një strukturë të posaçme për mbrojtjen e tyre duket se ka filluar të japë efekt. Në një intervistë për Top Channel, Fjoralba Haxhi, koordinatore në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve tha se gjatë vitit 2016 janë trajtuar 440 raste.
Ligji i ri garanton gjithashtu se të gjitha bashkitë duhet të kenë skuadra që do të marrin masa për fëmijët në situatë rruge. Haxhi thotë se po gjatë vitit 2016, janë identifikuar mbi 300 raste fëmijësh në situatë rruge, nga të cilët aktualisht 165 prej tyre marrin shërbim ditor, mbështetje arsimore dhe shëndetësore.
“Nëse jemi në situatën e një fëmije pa strehim, shërbimi primar është ai i emergjencës, më pas qendra tranzitore, deri te aplikimi për programet e strehimit social në bashki. Paralelisht, punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve, bashkë me administratorin e shoqërojnë fëmijën në njësinë administrative përkatëse dhe kryhen të gjitha procedurat për trajtimin me një nga programet e strehimit social”, ka thënë për Top Channel Koordinatorja në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve.
Ndryshimet e reja në ligj parashikojnë shtimin e punonjësve mbrojtës për fëmijët në çdo bashki, si dhe shtimin e punonjësve social dhe psikologëve. Sipas ligjit duhet që për çdo 3000 fëmijë të ketë një punonjës social apo psikolog që do të trajtojë problematikat e tyre.
Ndër risitë e tjera të ligjit, janë heqja e të drejtës së prindërimit nëse fëmija merret në mbrojtje dhe detyrimi i mjekëve, arsimtarëve, edukatorëve të raportojnë kur një fëmijë dhunohet apo edhe kur dyshohet, përndryshe edhe ata do të kallëzohen penalisht si shfrytëzuesi. /m.g/
Burimi: Top Channel