Kosova ende pa ligj për mbrojtjen e fëmijëve, miratohen rregullore të veçanta

Kosova vazhdon të mos ketë Ligj për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve, nga aspekti profesional, sipas zyrtarëve qeveritar, është përfunduar dhe janë kryer të gjitha procedurat, por pritet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.
Radio Evropa e Lirë raporton se në mungesë të ligjit përkatës, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, kanë parë e nevojshme që të bëhen disa rregullore nëpër komunat e Kosovës, dhe të nisë zbatimi i tyre deri në aprovimin përfundimtar të Ligjit.
Organizatat deklarojnë se nëse bëhet një vlerësim apo pikëzim prej 0 deri në 1, që paraqesin minimum dhe maksimumin, përpjekja e Qeverisë së Kosovës për t’i mbrojtur këta fëmijë, është 0.1 për qind.
Për shkak se çështja e fëmijëve dhe të drejtave të tyre prej vitesh ka qenë e paadresuar dhe kaotike, komunat synojnë që me rregullore të aprovuara, të ndërmarrin një zotim me të gjitha institucionet komunale dhe profesionistët me mandat për mbrojtje të fëmijëve, që të koordinohen dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet për ofrim të shërbimeve për këta fëmijë.
Rregulloret tashmë janë aprovuar në komunat: Gjilan, Ferizaj, Pejë, Drenas, Fushë Kosovë dhe Lipjan. Kurse Prishtina ende nuk ka arritur të miratojë një rregullore të tillë.
Sipas statistikave zyrtare, si pasojë e dhunës, në vitin 2016 janë evidentuar 4 raste, kurse në vitin 2017, 5 raste të vrasjeve të rënda në familje. Përpos dhunës, fëmijëve u shkelen të drejtat edhe në shumë mënyra të tjera ku mbi 10 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda, derisa afër 7 për qind punojnë në kushte të rrezikshme./k.j
Burimi: Radio Evropa e Lirë