Pas dorëzimit të një peticioni me 3200 firma pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nga aktivistë të komunitetit Rom dhe Egjiptian, ditën e djeshme është njoftuar një protestë përpara Kryeministrisë, për zbatimin e ligjit mbi sigurimin e energjisë elektrike për familjet e varfëra dhe në nevojë.
Neni 95, i ligjit 43 “Për sektorin e energjisë elektrike” siguron të drejtën themelore të familjeve për ndricim, informim, standart minimal të jetesës dhe lehtësira të tjera në kuadër të aksesimit të energjisë elektrike, vecanësisht grupeve vulnerabël përfshirë dhe pakicat Rome dhe Egjiptiane.
Mosmiratimi i Vendimit te Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij neni ka shkaktuar pasoja negative në mijëra familje të varfëra.
“Ne, aktivistë të pakicave Rome dhe Egjiptiane, së bashku me disa prej familjeve të varfëra kemi ndërmarrë disa veprime për të vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi. Pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme dhe të shtrira në kohë, ende nuk është siguruar marrja e masave konkrete për zgjidhjen e problemit, ndaj ndihemi të detyruar të përshkallëzojmë reagimin tonë përmes një proteste e cila do të zhvillohet më datë 19.07.2019, ditë e Premte, ora 11:00 – 13:00, përpara godinës së Kryeministrisë.”, thuhet në njoftimin e organizatave.
Nën thirrjen #kthemadritën, aktivistët u bëjnë thirrje sa më shumë qytetarëve dhe familjeve në nevojë të bashkohen në këtë manifestim për të siguruar zbatimin e ligjit me korrektësi.
/k.j