Historia e familjes Saçi që nuk ka mundësi për të blerë librat e 5 fëmijëve
Emisioni investigativ “Stop” ka denoncuar rastin e një familjeje në nevojë që nuk ka mundësi të blejë as librat për të shkolluar fëmijët. Familja Saçi jeton në Kashar të Tiranës dhe ka gjashtë fëmijë, pesë prej tyre frekuentojnë arsimin e detyrueshëm.
Të ardhurat e vetme të kësaj familjeje janë 8 mijë lekë (të reja) që vijnë nga kempi i kryefamiljarit Genc Saçi.
“Marr 80 mijë lekë në muaj. Me këto 80 mijë lekë çfarë të bësh më parë. Të paguash ilaçet, të marrësh bukën, të paguash dritat, ujin, apo librat e kalamajve”, është shprehur kryefamiljari për emisionin “Stop”.
Genci është diagnostifikuar me poliomielit dhe merr kemp të përkohshëm pasi komisioni mjeko-ligjor i ka thënë se ai është i aftë për punë pa ecje.
“Puna pa ecja quhet dezhurn ose roje. Këtu s’të merr njeri as për dezhurn e as për roje. Për pasojë jam pa punë”, ka thënë Genci.
Megjithatë, ndonëse në këto kushte, kjo familje nuk kërkon mrekulli por vetëm ndihmë për të siguruar librat e fëmijëve. Deri më sot familja është ndihmuar nga fondacione fetare dhe fqinjë apo shokë e shoqe të fëmijëve. /m.g/