Familja në varfëri ekstreme, kryefamiljari arrestohet për vjedhje energjie
Familja e Mehmet Lenës, në komunën Grekan të Gramshit, jeton në varfëri ekstreme.
Tërë jetën kanë jetuar në varfëri ekstreme dhe tani tetë anëtarët e një familje në Gramsh duhet të përballen edhe me ligjin, pasi kreun e shtëpisë e kanë futur në burg për vjedhje energjie.
Bëhet fjalë për familjen e Mehmet Lenës në komunën Grekan të Gramshit, e cila jeton në një varfëri ekstreme.
Sipas “Top – Channel’, të 8 pjesëtarët e kësaj familjeje jetojnë në një banesë thuajse të shkatërruar dhe e mbajnë frymën gjallë vetëm me pensionin e invaliditetit të njërit prej fëmijëve, që vuan nga një sëmundje e rëndë.
Kryefamiljari punon ku të mundet, por së fundi ai është arrestuar për vjedhje të energjisë elektrike, duke e lënë familjen në mëshirë të fatit.
Mësohet se familja ka shitur bagëtitë për të paguar energjinë elektrike, ndërkohë që numëron qindra mijë lekë borxhe në dyqanet fshatit.
Bashkëshortja e tij ka thënë se akuzat ndaj burrit të saj janë të padrejta, pasi në banesën e tyre nuk ka asnjë pajisje që t’i detyrojë të vjedhin energjinë. Ajo ka apeluar që t’ia lirojnë bashkëshortin, pasi ai është i vetmi burim të ardhurash.