Epidemia e fruthit në Shqipëri, institucionet apel për vaksinimin e fëmijëve
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/01/fruthi-e1519132918192.jpg)
Të paktën 30 fëmijë janë prekur nga fruthi në vendin tonë përgjatë kësaj periudhë. Lajmi bëhet i ditur nga Instituti i Shëndetit Publik, sipas të cilit rastet e konfirmuara i përkasin kryesisht grupmoshës nën 2 vjeç.
“Instituti i Shëndetit Publik ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe udhëzimeve të ISHP-së për grupet që janë më të rrezikuara.
Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen. Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
Po ashtu ISHP bën me dije se gjatë vitit 2018 dhe deri më tani raportohen të jenë kryer mbi 113,237 vaksinime, nga të cilat, mbi 51.227 janë vaksinime sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit për personat në moshën 1 dhe 5 vjeç.
Ndërkohë janë kryer edhe rreth 62,000 vaksinime të tjera që i përkasin fëmijëve të prapambetur në vaksinim, të rriturve të pavaksinuar ose me një dozë, komunitetit rom, si edhe të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar apo të sëmurë me fruth./k.j