“Djepi i engjëjve”, strehëza që ka mirëpritur 700 foshnja të braktisura
“Djepi i engjëjve” është shtëpiza pranë maternitetit Mbretëresha Geraldinë, që strehon foshnjat e braktisura nga nëna pas lindjes. E themeluar që prej vitit 1995, është bërë strehë për 700 foshnja të braktisura.
Gazeta Shëndet+ shkruan se vetëm gjatë vitit 2016 në këtë qendër janë braktisur 21 foshnja, ndërkohë që nga janari i 2017-ës janë braktisur 7 foshnja.
Spiro Dama, shef i shërbimit të pediatrisë në maternitetin Mbretëresha Geraldinë, shpjegon se nuk ka një kohë të caktuar të qëndrimit të foshnjave në qendër, përpara se të kalojnë në jetimore. Ai thotë se kjo shihet rast pas rasti, por mesatarja e qëndrimit është 3 muaj. Gjatë kësaj periudhe, pediatri thotë se nënat kanë të drejtë t’i vizitojnë fëmijët çdo ditë, deri në momentin që së bashku me vendimin e nënës gjykata e deklaron fëmijën të braktisur.
“Ne e nisëm 2017-ën me një rast të tillë. Ia dinte familja, por kishte një thyerje me partnerin e saj. E la vetëm 23 ditë dhe u kthye dhe e mori. Dhe pikërisht këto raste (kur e di familja) janë më të suksesshme për t’u bashkuar, ndërkohë që kur s’e di familja janë më të suksesshme për birësim”, ka thënë pediatri Dama në një intervistë për shëndeti.com.
Arsyet që çojnë në braktisjen e foshnjave sipas mjekut Spiro Dama, lidhen kryesisht me fëmijë të lindur jashtë martese, nëna të reja 15-25 vjeç që nuk ua di familja, ato që janë braktisur nga partneri si dhe më pak të rralla për arsye ekonomike.
Mjeku sqaron se femrat pas lindjes duhen trajtuar me shumë kujdes nga të afërmit, pasi përveç dhimbjeve fizike, është e dërrmuar edhe psikologjikisht.
“Ne studiojmë rastin duke e pyetur me kujdes, duke parë sa dhimbje ajo ka. Nëse rezulton se ka mbështetje, ia di familja, ne këmbëngulim, por nëse nuk ka asnjëri afër, nuk ka një mbështetje, nuk ka një punë, nuk ka një ambient të mirëpritur, çfarë mund të bëjë ajo e vetme?! Madje, mund të jetë dhe e rrezikshme si për të, ashtu dhe për bebin… Unë u them: pavarësisht se nuk ke mundësi për ta marrë, po ikën në shtëpi dhe fëmijën po e lë tek ne, ai fëmijë vazhdon të jetë yti dhe do të jetë derisa gjykata t’i heqë mëmësinë. Nëse e shikoj që është e lëkundur, atëherë i them: gjersa gjykata të thërrasë, ti do të lëvizësh çdo gurë!”, ka thënë mjeku pediatër Spiro Dema. /m.g/
Shkrimi i plotë: Elona Tereziu | shendeti.com.al