Divorcet, nënat dhe fëmijët viktimat kryesore
Mbrojtja e fëmijëve dhe përgjegjësia për të siguruar mirërritjen e tyre janë të kopsitura mirë nga ana ligjore, por si është situata tek implementimi i tyre në realitet? Kujdesi prindëror për pensionet ushqimore është një nga detyrimet për të siguruar mirërritjen e fëmijëve e që rrjedh nga Kushtetuta, Konventa Ndërkombëtare si dhe Kodi i Familjes.
Por çfarë do të thotë detyrim ushqimor?
Sipas Kodit të Familjes detyrimin për ushqim e kanë të gjithë anëtarët e familjes midis të cilëve ekzistojnë marrëdhënie, qoftë gjaku apo farefisnore. Ajo për të cilën flasim në këtë artikull është detyrimi që ka prindi ndaj fëmijës në rast të një divorci bashkëshortor. Kur një çift ndahet, gjykata vendos për fëmijët. Njëri prind, ai që plotëson kushtet e përcaktuara nga gjykata, merr detyrimin për rritjen dhe edukimin e fëmijës/ve dhe prindi tjetër detyrimin për ushqim. Detyrimi për ushqim është një shumë që përcaktohet në varësi të gjendjes ekonomike të prindit dhe kërkesave jetësore të fëmijës (mund të shkojë më shumë se 10.000 lek në muaj) për sa kohë fëmija është minoren ose deri në 25 vjeç nëse fëmija ndjek një shkollë.
Gjatë vitit 2014-2015 Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ka bërë një monitorim të vendimeve të Gjykatës së shkallës parë Tiranë për zgjidhjen e martesës dhe rregullimin e pasojave të saj, ku përfshihet edhe detyrimi për ushqim. Ajo që është vënë re gjatë studimit është numri i madh i prindërve meshkuj që ishin debitor. Në 98% të 655 rasteve të shqyrtuara nga QNLQ, është nëna ajo që ka marrë në rritje fëmijët pas divorcit dhe që kërkon detyrimin ushqimor nga babai.
Nënat dëmtohen ekonomikisht nga divorci kur nuk ekzekutohet vendimi për detyrimet ushqimore nga babai
Gjatë një interviste me Avokaten Evis Garunja, mësojmë se është po nëna ajo që mbetet më e dëmtuar ekonomikisht pas divorcit, pasi nuk ekzekutohet vendimi i gjykatës për detyrimin ushqimor nga babai.

Dr.Av Evis Garunja
“Shikojmë që këto gra vijnë nga një pamundësi ekonomike që nga fillimi, plus që kanë një detyrim ndaj fëmijëve të tyre, detyrim që pastaj iu shtohet dhe bëhet dy herë më i madh pasi pala tjetër që ka detyrimin për t’iu përgjigjur nuk i përgjigjet. Dhe në këtë rast gjendja e tyre financiare bëhet më e rëndë”, thotë Dr.Av Evis Garunja.
Sipas Kodit Penal, nëse nuk paguan detyrimin e përcaktuar nga gjykata dënohesh me gjobë deri në 1 vit burg. Por znj. Garunja na shpjegon se kjo nuk është zgjidhja e duhur për nënën dhe fëmijën.
“Gjoba ose vitet e burgut nuk janë zgjidhje për fëmijën ose prindin që ka marrë për rritje dhe edukim fëmijën. Së pari lekët e gjobës i merr shteti dhe fëmija sërish nuk përfiton asgjë dhe së dyti nuk është parë asnjë rast gjatë monitorimit që pas shlyerjes së gjobës apo burgut, prindërit debitorë të kenë ndryshuar sjelljen dhe të kenë filluar të paguajnë detyrimin”.
Një tjetër problematikë e vënë re gjatë monitorimit është fakti se mbi 10% e prindërve debitorë ndodhen jashtë vendit dhe në këto raste vendimet e Gjykatës kanë ngelur të paekzekutuara me pretekstin se nuk mund t’i gjejnë se ku janë. Avokatja Evis Garunja na thotë se shumica e rasteve kanë të bëjnë me prindër që kanë jetuar në Shqipëri në momentin e marrjes së vendimit dhe kanë emigruar më pas, kryesisht në Greqi dhe Itali.
“Ato lidhjet tona të familjeve që ne i trumbetojmë si “Familja shqiptare është e shenjtë, është e fortë”, ne jo vetëm që i kemi harruar por i kemi çuar në mospërfillje. Fakti që janë jashtë shtetit, do të thotë që i kanë venë kapak historisë të tyre në Shqipëri. Jo vetëm që nuk takohen me fëmijët, nuk kujtohen asnjëherë t’i marrin në telefon apo të kontribuojnë në dhënien e një mendimi për vazhdimësinë e jetës së fëmijëve të tyre si dhe më e rëndësishmja, bëhen pengesë që fëmija bashkë me nënën të jetojnë në një vend më të mirë. Pasi një nënë nuk mund të zhvendoset të jetojë në një vend tjetër me fëmijët e saj pa patur lejen e prindit tjetër deri sa fëmijët të jenë minorenë”.
Avokatja Garunja shpjegon se numri i madh të debitorëve jashtë vendit, bëri që QNLQ të mendojë për një zgjidhje ligjore se si të bëhet i ekzekutueshëm vendimi i gjykatës edhe jashtë Shqipërisë.
Sipas Konventës së Hagës, shtetet përcaktojnë një autoritet përgjegjës. Në vendin tonë autoriteti përgjegjës është Ministria e Drejtësisë. Në këtë rast mjafton që pala e interesuar të bëj një kërkesë pranë MD ku vërteton se pala debitore ndodhet në këtë vend, në këtë adresë dhe MD duhet të vihet në punë me institucionet homologe në vendin ku ndodhet debitori dhe ta bëjnë të ekzekutueshëm vendimin e gjykatës.
Por jo gjithmonë është nevoja që çeshtja të shkojë deri në Ministrinë e Drejtësisë. Avokatja Garunja thotë se mund të aplikohen edhe masa shtrënguese për vjeljen e detyrimeve dhe janë të pajustifikueshme pretekstet se zyra e Përmbarimit nuk mund të gjejë se ku ndodhen prindërit debitorë.
Nëse këto masa shtrënguese do të kishin funksionuar, do i ishte dhënë fund edhe 10 viteve sorollatje të R.G nga Librazhdi e shumë nënave të tjera. Më poshtë lexoni historinë e një qytetareje të të përfaqësuar ligjërisht nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare.
Rasti i ndjekur nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
R. G. është një qytetare nga Librazhdi që ka zgjidhur martesën ligjore me bashkëshortin e saj që në maj të vitit 2001. Nga kjo martesë ata kanë edhe dy fëmijë. Gjykata në atë kohë vendosi lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve nënës së tyre, ndërsa babai, G. A. duhej të paguante një kontribut ushqimor në shumën prej 1000 lekë në muaj për secilin fëmijë.
4 muaj pas vendimit të Gjykatës, qytetarja i është drejtuar Zyrës së Përmbarimit Librazhd për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Edhe 1 vit më vonë, i ati i dy fëmijëve ende nuk kishte filluar likuidimin në mënyrë vullnetare të detyrimit ushqimor për fëmijët, ndaj përmbaruesi gjyqësor vendosi të bëjë sekuestrimin e pasurisë së debitorit G. A. U desh ndërhyrja e zyrës së Përmbarimit që prindi të paguante detyrimin ushqimor për fëmijët e tij. Por kjo gjë ndodhi vetëm deri në qershor të vitit 2006. Pas kësaj date, nëna dhe fëmijët nuk kanë përfituar më asgjë.
Ndërkohë, zonja ka kërkuar dy herë ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Librazhd, për rritjen e masës së detyrimit ushqimor. Kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata por nuk është zbatuar asnjëhërë. Arsyeja? – Debitori ndodhet në emigracion në Greqi dhe nuk ka pasuri të sekuestrueshme. Deri në datën 30.9.2013 kanë mbetur pa paguar 622.000 lekë të reja.
Duke parë se për më tepër se 8 vjet nëna e fëmijëve nuk ka pasur asnjë ndihmë nga ish-bashkëshorti për rritjen e tyre, i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese e cila është shprehur se “kërkuesja nuk ka shfrytëzuar mjetin juridik të ofruar nga Konventa e Hagës, me qëllim transmetimin e kërkesës së saj për njohje dhe ekzekutim vendimi, në shtetin grek”. Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese ka theksuar detyrimin e organeve përgjegjëse për bashkëpunimin e ndërsjellë me organet homologe greke. “…Autoritetet gjyqësore të palëve kontraktuese do të komunikojnë midis tyre, për qëllimet e ndihmës juridike të ndërsjellë, për zbatimin e vendimeve gjyqësore me anë të organeve të tyre qendrore (d.m.th, nga ana e Republikës Greke me anë të Ministrisë së Drejtësisë dhe nga ana e Republikës së Shqipërisë, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë)”.
Sipas Konventës së Hagës dhe marrëveshjes dypalëshe të ratifikuar mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndihmën gjyqësore në çështjet civile dhe penale, ka një marrëveshje dypalëshe mes vendeve “Për njoftimin dhe dorëzimin jashtë shtetit të dokumenteve gjyqësore dhe jashtëgjyqësore në fushën civile dhe tregtare”.
Me ndihmën e QNLQ, qytetarja e ka dërguar në rrugë zyrtare kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë por që prej vitit 2014 e deri më tani nuk është bërë asnjë hap më tutje në realizimin e të drejtës së R.G. për përfitimin e detyrimit ushqimor për fëmijët e saj.
/Marinela Gremi. Historia Ime/