“…Na kanë dhunuar barbarisht. Na kanë tërhequr zvarrë e na nxorrën nga shtëpitë me gaz lotsjellës. Më dhunuan gocat 15 dhe 16-vjeç. Një tmerr i vërtetë. Babain ma kanë dhunuar, dy vajzat i kam në Komisariat, shtëpia po më prishet..” ishin fjalët e qytetares Flora Mandri, nga mjediset e spitalit ku është dërguar për mjekim pas dhunës dhe përplasjes me forcat policore gjatë ditës së martë.
Prishja e shtëpive në zonën e Bregut të Lumit, të cilat preken nga punimet e zgjerimit të Bulevardit të Ri të Tiranës, u shoqërua me përdorimin e lëndëve kimike për boshatisjen e shtëpive, përplasje me forcat e policisë, dhjetëra të lënduar, fëmijë të arrestuar dhe intimidim të mediave nga ana e autoriteteve për të mos e pasqyruar situatën e rëndë, duke penguar kështu gazetarët në ushtrimin e aktivitetit të tyre.

Prania e forcave policore në vendngjarje gjatë prishjes së banesave. Burimi: Top Channel
Rasti në fjalë na vjen sigurisht i përsëritur. Gjatë viteve të fundit, Tirana është kthyer në një kantier të madh ndërtimi e thuajse çdo muaj po shohim skena të ngjashme, të papërshtatshme për një shtet, i cili propagandon për demokracinë dhe në pak vite pretendon të jetë pjesë e komunitetit europian. Familje që kërcënojnë me vetëflijim, qytetarë që përleshen me policët e armatosur, mure njerëzish që mbajnë dyert e mbyllura e pengojnë fadromat në rrugën e tyre, familje të tëra dhe fëmijë që terrorizohen për hir të punimeve që duhen mbyllur brenda afateve të caktuara.
Sipas prononcimeve të banorëve në vendngjarje, asnjë dëmshpërblim nuk është ofruar për prishjen e shtëpive. Ata deklarojnë se procesi i legalizimit nisi dhe për banesat e tyre, por u ndërpre pas njoftimit të punimeve për ndërtimin e Bulevardit të Ri.
“Në fillim na e vlerësuan banesën, por më pas procesi i legalizimit u anulua. Shtëpia ime është vlerësuar fillimisht 39 milionë lekë të vjetra”, deklaroi një banor i zonës. Të tjerë pretendojnë se procesi i vlerësimit s’ka nisur asnjëherë për banesat e tyre, duke folur për arrestimet e familjarëve dhe kushtet e vështira ekonomike ku ndodhen. Përballë prononcimeve të banorëve qëndron dhe deklarata e kryebashkiakut Veliaj, i cili ofroi banesa sociale për këto familje, duke e cilësuar projektin e bulevardit të madh si të pakthyeshëm dhe që do të vazhdojë përpara me çdo kusht.
Problemi i pronës publike e private, hapësirave të zëna e ndërtimeve pa leje të legalizuara ndër vite, sigurisht që gjenezën e ka shumë vite më përpara dhe gjatë gjithë këtyre viteve është kthyer në një proces të përsëritur, ku banorëve të këtyre zonave informale u premtohej dhe u legalizohej banesa në këmbim të votës. Këto banorë sot kanë të drejtën e dhënë prej precedentëve të ngjashëm e rasteve të përsëritura për të dalë përballë fadromave e për të kërkuar ndalimin e punimeve, të paktën për aq kohë sa nuk ofrohet një zgjidhje alternative dhe e kënaqshme për të shmangur të tilla ngjarje.
Në një shtet demokratik, në themel të çdo veprimi institucional duhet të qëndrojë ligji dhe normat e përbashkëta shoqërore. Padyshim që prishje banesash dhe ndërtime të paligjshme nuk ka vetëm në vendin tonë, por ajo që shumë qytetarë nuk arrinë dot të kuptojnë nga këto aksione të përsëritura policore që prodhojnë pamje të rënda për këdo, është nëse në vendin tonë ekziston një kufi ndarës mes zbatimit të ligjit dhe njerëzores. Vërtet Bulevardi i Tiranës është një segment që duhet të përfundojë, por pëprara se të projektohen të tilla ndërtime si bulevardi apo zgjerimi i unazës së madhe, a nuk duhet zgjidhur njëher problematika e strehimit me veprime konkrete e jo me premtime për banesa sociale që nuk duken askund në Tiranë?
Në të tilla raste mungojnë dhe studime të mirëfillta të ndërtimtarisë, planimetrisë së zonës dhe zbatueshmërisë së projektit në praktikë. Kjo, për shkak të urgjencës së koncesionarëve, pa interesin më të vogël për kushtet objektive të zonave të banuara dhe afektimit të jetëve njerëzore nga këto projekte.
Lajm në rastin e Bregut të Lumit, nuk përbën vetëm një aksion rutinë i autoriteteve për hir të së “mirës publike”, por brutaliteti me të cilin autoritetet e këtij vendi, ato që duhet të na mbrojnë në rrugë e aeroporte, kthehen në dhunues të qytetarëve të pambrojtur. Edhe në rastet e tjera të prishjes së ndërtimeve për hir të projekteve infrastrukturore e publike, shumica e imagjinuar e qytetarëve supozohet të përfitojnë nga këto projekte, por shteti dhe institucionet e tij nuk arrinë dot të rakordojnë interesat e pakicave të prekura dhe mbrojtjen e tyre.
Ajo që vihet re dhe që është shqetësuese për shumë prej nesh është dëshira që institucionet tona kanë për tu treguar të guximshëm me më të pambrojturit, më të varfërit e më të margjinalizuarit, duke mos kuptuar që postet e tyre dhe pushteti që kanë, janë priviliegje të dhëna përkohësisht nga qytetarët, të cilët mes tyre nga ana tjetër nuk privilegjohen e ndahen në shumicë e pakicë. E mira publike nuk dallon mes të siguruarve e të pasiguruarve, mes atyre me fat që jetojnë në qendër e atyre pafat që jetojnë në zona informale. E mira publike është për të gjithë qytetarët dhe kjo prevalon e vjen si garant dhe e përforcuar me ligje. Njësoj, siç duhet të vijnë planet e strehimit dhe shpërnguljes graduale të banorëve përpara zgjerimit të një rruge, që e vetmja gjë që ka prodhuar deri më sot, është qindra të pastrehë e asnjë përfitim ekonomik të dukshëm për zonat përreth saj.
Përplasjet te Bregu i Lumit pasqyrojnë më së miri situatën ku ndodhemi, ku ligji përdoret si justifikim i forcës së më të privilegjuarve.