Cilat janë shkaqet e uljes drastike të lindshmërisë në Shqipëri?
Niveli i lindshmërisë në vend është çdo vit në rënie. Nëse dikur numri mesatar i lindjeve në Shqipëri ishte 7 fëmijë për një grua, sot shifra ka një rënie drastike në 1.6 fëmijë për një grua. Studiues të ndryshëm e lidhin uljen e lindshmërisë me tranzicionin politik dhe ekonomik në vend.
O. Sh, nënë e një fëmije 4 vjeç tregon për Deutsche Welle se së bashku me bashkëshortin kanë planifikuar abortin për foshnjën një muaj e gjysmë, pasi e kanë të pamundur të rrisin dhe një fëmijë të dytë.
“Me pëlqimin dhe të bashkëshortit do ta ndërpres shtatzëninë. Sapo kam marrë një pozicion të lartë në kompaninë celulare, ku punoj prej rreth katër viteve. Burri im drejton një biznes privat dhe thuajse gjithë ditën është në punë. E kemi të pamundur të rrisim dhe një fëmijë tjetër, megjithëse e dimë që kjo do të ishte shumë mire për vajzën tonë 4 vjeçare që vazhdimisht na kërkon dhe një motër o vëlla”.
Sipas profesorit të sociologjisë Kosta Barjaba, ulja e lindshmërisë është e lidhur me tranzicionin politik dhe ekonomik në Shqipëri, ku në të njëjtën kohë po përjetohet edhe tranzicioni demografik. Ai rendit gjithashtu kufizimin e mbështetjes sociale për familjet mbi dhe përreth vijës së varfërisë, aplikimi i programeve të planifikimit familjar, rritja e vrullshme e divorceve dhe zgjatja, më shumë sesa në shoqëritë e tjera, e periudhës mes divorcit dhe rimartesës si faktorë që ndikojnë në uljen e nivelit të lindshmërisë.
“Shqipëria ka aktualisht jashtë vendit rreth një të tretën e popullsisë ose një numër emigrantësh më të madh sesa forca e punës. Arsye tjetër është sepse kushtet e reja politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore sjellja shoqërore, riprodhuese dhe familjare e shqiptarëve ka ndryshuar, duke shkaktuar edhe një modifikim të pikëpamjeve të familjeve, sidomos çifteve të reja, ndaj numrit të fëmijëve. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e politikave e programeve specifike për mbështetjen e familjeve të reja, të cilat janë ‘furnizuesit’ kryesorë të lindshmërisë, përbën një shkak tjetër”, ka thënë prof. Barjaba për DW.
Bazuar në statistikat zyrtare, në vitin 1960 Shqipëria ishte vendi i parë në Evropë për numrin mesatar të lindjeve për një grua, që shkonte në 7 dhe aktualisht shifra ka arritur në 1.6. Duke ju referuar parashikimeve të statistikave, përllogaritet që në vitin 2028 në Shqipëri më shumë do të vdesin se sa do të lindin, shkruan DW.
Ndikimet kryesore të uljes së lindshmërisë janë rritja e moshës mesatare të popullsisë dhe indirekt reduktimin e krahut të punës. Në vitin 2001 mosha mesatare në vend ishte 26.6 vjeç, ndërkohë që vitin e kaluar mosha mesatare është llogaritur 36.6 vjeç. /m.g/
Burimi: Deutsche Welle