Çeki/ Ligji i ri nxjerr jashtë shtëpie agresorë të dhunës në familje
Një ligj që lejon policinë çeke për të nxjerrë jashtë shtëpie agresorë të krimit në familje për 10 ditë, hyri në fuqi në vitin 2007. Që prej atëhere, me qindra abuzues janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Deri në fund të tetorit të këtij viti, policia çeke ka urdhëruar rreth 14.000 dëbime në total, sipas të dhënave të raportuara prej “White Safety Circle”, një organizatë e cila iu vjen në ndihmë viktimave dhe familjarëve të tjerë.
Organizata të ndryshme që lobojnë kundër dhunës në familje besojnë se ndërhyrjet policore mund të garantojnë siguri në situata emergjente, por gjithashtu advokojnë për rehabilitimin e agresorëve. “Persona që kryejnë krime në familje duhet të përfshihen në këtë skemë të rehabilitimit” shprehet Josef Petr, drejtor i “League of Open Men”, një organizatë e dedikuar për rehabilitimin mendor të abuzuesve.
Dhuna në familje mund të jetë në forma të ndryshme si: fizike, emocionale, seksuale ose ekonomike. Disa gra kanë qenë të abuzuara prej vitesh përpara se të kërkonin ndihmë. Policia sipas legjislacionit çek ka të drejtën ti dëbojë jashtë shtëpie për 10 ditë agresorët, pa marrë miratimin e këtyre të fundit.
Një gjykatë mund ta zgjasi periudhën e dëbimit si dhe të ripërcaktoj një urdhër mbrojtje nëse viktima kërkon për një gjë të tillë. Një abuzues i cili dëbohet duhet të dorëzojë çelësat e shtëpisë dhe nuk lejohet të kontaktojë viktimën.
Një fushatë e titulluar #ResponsibleTogether, e cila përforcon pjesën e të punuarit me agresorët si pjesë e zgjidhjes për problemet e dhunës në familje, nisi në fund të nëntorit në dhjetëra shtete./k.m/
Burimi: NewsMavens