Amnesty International: Shtohet dhuna në familje dhe të pastrehët në Shqipëri
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International, thekson në raportin vjetor se dhuna në familje në Shqipëri mbetet e përhapur dhe të mbijetuarit e saj, rrallë përfitojnë nga drejtësia. “Atje vazhdon mosndëshkimi në rastet e torturës dhe keqtrajtimit.”
Problem tjetër është mospërmbushja e zotimeve të qeverisë për strehim të njerëzve të varfër si dhe të komunitetit rom. Amnesty International thotë se ish kazermat e parmenduara për t’u shndërruar në strehim të përkohshëm për të dëbuarit, nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare.
Në qershor, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, i miratoi Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke e kushtëzuar atë me reformat e mëtejshme në drejtësi, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e romëve, politikat kundër diskriminimit dhe zbatimin e të drejtës së pronës.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Autoriteti Kombëtar i Strehimit, propozuan shtimin e numrit të banesave sociale dhe qasjes për ata me strehim të papërshtatshëm. Në muajin shkurt, ministria paraqiti një strategji të re të strehimit për të përfshirë romët dhe egjiptianët, për të nxitur legalizimin e strehimeve joformale dhe për të përmirësuar qasjen në ujë të pijshëm dhe kanalizime por përparimi në këto pika është shumë i ulët.
Sipas Amnesty International, qeveria dështoi të garantojë të drejtën ligjore të jetimëve të pastrehë për përparësi në strehimin social. Në muajin maj në ditën kombëtare të jetimëve, ata protestuan duke kërkuar qasje në arsim dhe strehim dhe duke e cilësuar tallëse mbështetjen sociale të siguruar nga shteti.
/BalkanWeb