Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, ndalon fëmijët që punojnë në bregdet
Problem i fëmijëve që punojnë në të zezë, sidomos në zonat bregdetare gjatë stinës së verës, është i njohur tashmë. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ka nisur një aksion në plazhe për të evidentuar të gjithë fëmijët që punojnë, pasi ligjet nuk e lejojnë këtë gjë.
Aksioni është përqendruar kryesisht në plazhin e Durrësit dhe atë të Gjirit të Lalëzit, ku mendohet se edhe numri i shitësve të vegjël është më i madh.
“Nisur nga situata e fëmijëve që punojnë në zonat e plazheve në Durrës, është hartuar dhe po zbatohet vazhdimi i aksionit të nisur prej fillimit të verës. 15 persona nga institucionet për mbrojtjen e fëmijëve po kontaktojnë dhe intervistojnë çdo fëmijë. Përmes fëmijëve shkohet te familja ku merren të dhëna dhe identifikohen nevojat për familjen dhe fëmijën”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas AShMDF shumë familje janë treguar bashkëpunuese dhe janë ndërgjegjësuar për të mos lejuar fëmijët të dalin për të shitur, por për rastet kur do të ketë rezistencë nga ana e familjes, kjo agjenci po bashkëpunon me Policinë e Shtetit, për të marrë masa. Ndërsa theksohet se toleranca do të jetë zero në rast se identifikohen persona që nuk janë të afërm të fëmijëve dhe i punësojnë ata për shitje.
/Gazeta Shqip