8 Prill – Dita Ndërkombëtare e Romëve
Romët mbeten pakica etnike më e madhe në Evropë, por njëkohësisht një nga më të margjinalizuarat. Që prej vitit 1990, data 8 Prill shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve, kur vihet dhe njëherë theksi te problematikat me të cilat haset ky komunitet dhe vështirësitë e tyre të përditshme.
Varfëria, diskriminimi shoqëror dhe institucional, pabarazia dhe mungesa e mundësive të shkollimit dhe punësimit, janë problematika të cilat dhe në Shqipëri prekin shumicën e anëtarëve të komunitetit rom.
Prej disa vitesh, organizatat e shoqërisë civile dhe ato ndërkombëtare, bëhen bashkë më 8 prill për të theksuar dhe njëherë nevojën për veprime më të fuqishme nga të gjithë qytetarët shqiptarë, për të respektuar të drejtat e njeriut për familjet Rome.
Ditën e sotme në Tiranë, aktivistë për të drejtat e komunitetit rom, kanë lajmëruar një marshim paqësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të kërkuar më shumë të drejta dhe mundësi në arsim dhe punësim.
Diskriminimi i këtij komuniteti fillon që nga fëmijët me raste të shumta të braktisjes së shkollës që në vitet e para për shkak të pamundësive ekonomike apo diskriminimit. Komuniteti rom ka mundësi shumë të kufizuara për pjesëmarrjen në vendimet që prekin jetët e tyre dhe mungojnë politika konkrete në planin afatgjatë për zgjidhjen e problematikave me të cilat përballen përditë, të cilat nuk mund të zgjidhen pa bashkëpunimin me shtresat e tjera të shoqërisë dhe ndihmën e tyre.