3.243 gra të dhunuara vitin e shkuar, kryeson Durrësi e Vlora

Statistikat zyrtare flasin për një panoramë të frikshme të dhunës tek gratë. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë vitit 2017, numërohen në terma absolutë 3.243 gra të dhunuara. Bëhet fjalë për shifra të përpunuara nga raportimet në Policinë e Shtetit. Kjo do të thotë se në realitetin e përditshëm rastet janë edhe më të shumta, duke pasur parasysh se jo të gjitha raportohen në polici.
Qarku i Durrësit ka normën më të lartë të grave të dhunuara. Sipas të dhënave të INSTAT për çdo 10 mijë gra në Durrës ka 32 gra të dhunuara, apo rreth 11 gra më shumë se mesatarja kombëtare. Qarku i Durrësit është i përbërë nga 3 bashki të mëdha: Durrës, Shijak dhe Krujë.
Qarku i Vlorës ndjek Durrësin për dhunën ndaj grave. Referuar INSTAT-it në Vjetarin Statistikor Rajonal për çdo 10 mijë banore gra në Vlorë kishte 26.6 gra të dhunuar në 2017-n. Në kryeqytet, ku dhe mundësia për ta raportuar dhunën është më e lartë, numri i grave të dhunuara për çdo 10 mijë banore gra ishte 26.3, rreth 4 gra më shumë se mesatarja e vendit. Mbi mesataren kombëtare të dhunës ndaj grave renditen dhe qarku i Beratit me 25.4 gra të dhunuara për 10 mijë banore gra, Korça me 23.8 gra, dhe Lezha me 23.1. Më pas nën mesataren renditen qarku i Gjirokastrës me 22 gra për 10 mijë banore gra të atij qarku, Fieri me 19.2, Elbasani me 17.1 dhe Shkodra me 15.
INSTAT-i vlerëson se përqindja më e lartë e grave që përjetojnë dhunë në familje, është në qarkun e Tiranës. Nga totali prej 3.243 gra të dhunuara në të gjithë Shqipërinë, 35.8 % janë në Qarkun e Tiranës, ndjekur nga qarku i Durrësit me 13.9 %. Ndërsa qarku i Kukësit dhe ai i Dibrës kanë përqindjen më të ulët, përkatësisht, 0.9 dhe 1.5 % gra të dhunuara. Në krahasim me mesataren kombëtare në Dibër ka 14 gra të dhunuara më pak, ndërsa në Kukës, i cili ka dhe nivelin më të ulët në vend, ka rreth 15 gra më pak.
Numri i grave të dhunuara në raport me numrin e popullsisë është më i lartë në qarkun e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës me normë përkatësisht 32.0, 26.6 dhe 26.3 të dhunuara për 10 mijë banore gra. Ndërsa Kukësi, Dibra dhe Shkodra janë qarqet me normën më të ulët, 7.6, 8.2 dhe 15.0 gra të dhunuara për 10 mijë banore gra të secilit qark. Rastet e dhunës në familje pasqyrojnë numrin e raportimeve të bëra në polici dhe përfshijnë edhe rastet, në të cilat ky fenomen ka shkaktuar vdekjen e personit. INSTAT-i gjithashtu bën me dije se në vitin 2017, nga 50 vrasje të ndodhura, 26.0 % e tyre kanë ardhur si rezultat i vrasjeve për shkak të marrëdhënieve në familje./k.j