Në kushte pandemie, nis viti i ri shkollor për rreth 480 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në mbarë vendin.
Por zhvillimet e fundit demografike, ulja e numrit të lindjeve dhe emigracioni kanë sjellë një rënie të numrit të nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar dhe ka rritur normën e braktisjes së shkollës për nxënës që emigrojnë së bashku me familjet e tyre.
Në vitin shkollor 2017-2018, arsimin parauniversitar e ndiqnin rreth 520 nxënës, ndërkohë që raportohej një ulje prej 2.9% me vitin shkollor paraardhës. Sot ka thuajse 40.000 nxënës më pak në krahasim me 3 vite më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT të përpunuara nga Revista Monitor, numri i nxënëseve në arsimin 9-vjeçar këtë dekadë ka rënë me 30%, ndërsa në raport me vitin e parë të tranzicionit 1991, me 45%. Nxënësit e regjistruar në arsimin 9-vjeçar në vitin 2019 ishin rreth 295 mijë, nga 421 mijë në vitin në 2010 dhe mbi 540 mijë në vitin 1991.
Numri i nxënëseve në arsimin 9-vjeçar këtë dekadë ka rënë me 30%.
Me uljen e numrit të nxënësve, dukshëm janë ulur dhe investimet në arsim.
3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto është pjesa që zë investimi publik në arsim. Një shifër e cila është premtuar nga qeveria aktuale për tu rritur në 5%, por premtimet kanë mbetur ende në formën e deklaratave elektorale dhe s’janë pasqyruar në asnjë strategji të mirëfilltë e konkrete.
Mesatarja botërore e shpenzimeve për arsim është 4.5% e PBB sipas të dhënave nga Banka Botërore, ndërsa sipas OKB kjo normë duhet të kap 5% të PBB deri në vitin 2030, në saj të Objetivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Sipas Monitor, gjatë viteve 1990 shpenzimet për sektorin e arsimit ishin midis 4.5 dhe 5%, duke u ulur ndjeshëm përgjatë tranzicionit.
Ndërkohë që në masat e reja anti-covid, njëjtë si dhe gjatë vitit të kaluar shkollor ku pjesa më e madhe e mësimit u zhvillua online, po vihet në diskutim nga ekspertë të arsimit dhe qytetarë dhe vetë cilësia e mësimdhënies.
Orari i ri mësimor varion nga 25 minuta ne 30 për orë mësimore, ku nxënësi do marri shpjegimin kryesor e më pas do të dërgohet në shtëpi. Matja e nivelit të njohurive apo dhe kuptimi i leksioneve të marra është një proces që duhet të ndiqet nga prindërit dhe kujdestarët në shtëpi.
Shumë u kritikua dhe masa për vetë-deklarimin e fëmijëve mbi gjendjen e tyre shëndetësore, e cila sjell kosto shtesë për prindërit dhe vështirësi për gjendjen psikologjike të fëmijëve.
Qendra për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve në Shqipëri i konsideron disa nga masat parandaluese të marra prej Ministrisë si shkelje të të drejtave të fëmijëve në kundërshtim të hapur me çdo ligj për fëmijët në Shqipëri.
Ndërkohë mbetet për tu parë menaxhimi i situatës, me shifra të të infektuarve të rinj me COvid-19 që sa vinë dhe rriten. Nuk është folur ende për një mbyllje të shkollave, por si është deklaruar dhe më parë nga Ministria e Arsimit, Komiteti i Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë është struktura që do të gjykojë nëse shtimi i rasteve të reja dhe infektimi komunitar në shkolla mund të sjellë apo jo një ri-mbyllje të shkollave për të kaluar sërish në mësim në distancë përmes platformave online.