UNDP prezanton gjetjet e studimit rajonal për personat interseks

Duke qenë se jetojmë në një shoqëri ku dikotomia dualiste vajzë-djalë manifestohet kudo, është e vështirë të mendosh përtej mendësisë binare. Kjo nis që në lindje kur pyesim: çfarë lindi, vajzë apo djalë? Asnjëhere nuk na shkon mendja se mund të kemi gjini asnjanëse. Këtu lind nevoja për të folur për komunitetin interseks. Por çfarë janë personat interseks?
Personat interseks (ose ndërseksualë) është një term i përdorur për të përshkruar njerëz të lindur me organe të jashtme gjenitale, sisteme të brendshme riprodhimi ose kromozome që janë midis asaj çka konsiderohet qartësisht mashkull ose femër (prsh: organe gjenitale të dyfishta ose të paqarta).
PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndëtësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fakultetin e Shkencave Sociale, organizoi prezantimin e studimit për Personat Interseks në Shqipëri, Bosnje, Maqedoni dhe Serbi, një studim i realizuar nga shkurti në qershor të 2017. Pjesë e panelit ishin ekspertë nga organizatat pjesë të studimit por edhe përfaqësues institucional si dhe nga shoqëria civile të interesuar për komunitetin interseks. Pjesë e auditorit ishin studentë të FSHS por edhe persona e aktivistë të interesuar për studimin.
Një ndër panelistët ishte dhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca e cila shprehu zotimin e saj dhe institucionit që përfaqëson në mbrojtjen nga diskriminimi të personave nga ky komunitet.
“Si shoqëri ne dimë shumë pak rreth komunitetit interseks. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë qenë pjesë e rezistencës. Duhet ti pranojmë të tjerët për sa janë të ndryshëm dhe në asnjë rast nuk duhet ti etiketojmë grupe të caktuara me konotacion negativ: as personat në moshë të tretë, as personat me aftësi të ndryshme, etj. Bazuar dhe në objektivat e zhvillimit, ku ndër të cilat një objektiv dëfton se nuk duhet të lëmë askënd të përjashtuar nga shoqëria” u shpreh Avokatja e Popullit.
Znj. Edlira Papavangjeli, njëkohësisht dhe menaxhere projekti pranë UNDP, bëri prezantimin e gjetjeve kryesore të këtij studimi.
“Ky studim u zhvillua pasi komuniteti interseks njihet shumë pak jo vetëm në Shqipëri por edhe me gjerë në rajon. Kjo ishte shtysa kryesore për të realizuar një studim të tillë, për tu njohur me problematikat e një komuniteti të tillë dhe shkelja e rëndë e të drejtave të njeriut me të cilat përballet ky komunitet, si e drejta e jetës, integritetit trupor.” u shpreh Papavangjeli.
Cilat ishin disa prej gjetjeve interesante të studimit?
Studimi shihet qartë se nuk bazohet në shifra. Kjo pasi është shumë e vështirë të mbledhësh shifra për këtë kategori, jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon. Një nga temat ku studimi është fokusuar është trajtimi mjekësor i munguar për këtë komunitet, pasi u realizuan intervista me profesionistë mjekësor. Gjetjet për Shqipërinë treguan se personat interseks apo karakteristikat e seksit nuk përmenden në asnjë ligj apo strategji që lidhet me kujdesin shëndetësor. Një lexim më i thelluar i studimit tregon se interseksualizmi nuk njihet nga profesionistët mjekësor në Shqipëri, duke e trajtuar si një çrregullim të zhvillimit të seksit.
Për përcaktimin e diagnozës interseks duhet të ekzistojë një ekip multidisiplinor mjekësh që të punojë me foshnjat si dhe me prindërit njëkohësisht. Në Shqipëri kjo diagnozë përcaktohet gojarisht midis mjekëve dhe prindërve, pasi nuk ekzistojnë protokolle të shkruara.
Xheni Karaj, drejtuese e organizatës “Aleanca LGBT” u shpreh se nga aspekti i shoqërisë civile dhe lobimit pr të drejtat LGBTI+, komuniteti interseks mbetet fatkeqësisht një nga më të padukshmit.
“Zakonisht dëgjojmë termin hermafrodit kur flitet për këtë komunitet, por ky term është shumë i gabuar. Gjatë karrierës suaj profesionale duhej të përpiqeni ta shmangni sa më shumë. Kjo pas mbetet një term denigrues për personat interseks. Një problem që ekziston në realiteitn shqiptar është se prindërit e fëmijëve interseks nuk konsultohen në asnjë hallkë të sistemit shëndetësor nga psikologët” shprehet aktivistja Karaj.
Studimi ka ardhur me rekomandime konkrete për ti prezantuar dhe autoriteteve shtetërore, përgjegjëse për hartimin e politikave dhe zbatimin e legjislacionit./k.m/