Të bashkuar Pro Kauzës LGBT në Shqipëri (ProLGBT) kërkon trajnerë të kualifikuar për të kryer trajnime mbi rrëfimtarinë dhe metodat e ndryshme të ndërtimit të një narracioni publik (njohur në anglisht si storytelling). Ky projekt financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Shqipëri.
Problemi që ky projekt synon të adresojë
Përjashtimi, demonizimi i komunitetit LGBTQ+ dhe retorika e urrejtjes në diskurin publik shqiptar është e paprecedentë edhe për vetë standartet e Shqipërisë. Të rinjtë LGBTQ+ shqiptarë, që janë të ekspozuar ndaj realiteteve globale përmes rrjeteve sociale, e gjejnë veten si në një kurth. Nga njëra anë ata mund të aksesojnë një kontent mediatik gjithpërfshirës që i respekton dhe i celebron identitetet e tyre, ndërkohë që në nivel lokal ata janë të ekspozuar ndaj një retorike toksike që i përjashton dhe i demonizon identitetet e tyre. Mos pasja e mundësisë për tu prezantuar në media ashtu siç janë, për atë që janë, mund të ketë efekte negative për vetvlerësimin dhe mirëqënien psiko-sociale. Kjo nismë synon të reduktojë homofobinë dhe diskriminimin në mediat online dhe në jetën e përditëshme, duke i pajisur 12 të rinj LGBTQ+ me aftësitë e nevojshme për të zbuluar dhe për t’iu përgjigjur shkeljeve të tilla të të drejtave të njeriut, dhe për të ndërtuar me forma të ndryshme, përfshirë ato dixhitale, narrativën e tyre që respekton të drejtat dhe identitetet e tyre.
Pse “storytelling”?
Komunitetet lokale e ndërtojnë kontekstin dhe e interpretojnë realitetin e tyre përmes komunikimit. Komunikimi nuk përfshin vetëm fjalët dhe gjuhën por edhe format se si gjuha përcillet. “Storytelling” apo rrëfimtaria është një aktivitet po aq i lashtë sa njeriu. Ne e përzgjedhim historinë tonë përmes rrëfimit, e veshim atë me kuptim dhe e përcjellim në të njëjtën mënyrë tek brezat e ardhshëm. Ne e përkufizojmë kështu veten tonë përmes rrëfimit. Akti i të rrëfyerit ia jep pushtetin personit që e rrëfen historinë e vet. Duke e çuar historinë e komunitetit LGBTQ+ drejt vetë komunitetit, ky projekt është në njëfarë mënyrë një akt rezistence. Ai e transferon të drejtën për të rrëfyer historinë nga një ekosistem mediatik përjashtues dhe diskriminues, në duart, mendjet dhe zërin e të rinjve LGBTQ+. Historitë e tyre do të rrëfehen kështu nga ata e jo në emër të tyre. Projekti do ta pajisë këtë grup prej 12 vetësh me metodat më moderne dhe të zgjuara të “storytelling” dhe me aftësinë për të ndërtuar historitë e tyre dhe për t’i ndarë ato me njëri – tjetrin e me publikun në forma që garantojnë privatësi.
Detyrat e trajnerëve
Ne kërkojmë 4 trajnerë të përgatitur që të ndërtojnë bashkarisht 4 module trajnimi. Trajnimi do të zhvillohet në këtë mënyrë:
Trajnerët do të zhvillojnë nga një modul të lëndëve përkatëse, të cilat do të filmohen dhe më pas do të hidhen në platformën MOOC të Historia Ime për këdo nga komuniteti që dëshiron të mësojë mbi storytelling. Më pas trajnerët do të thellojnë trajnimin me 12 të rinjtë nga komuniteti LGBT të përzgjedhur për ta ndjekur këtë program, nëpërmjet takimeve në ambientet e organizatës Pro LGBT.
Moduli i parë do të jetë mbi “storytelling” digjital (Vlog, Blog, foto-reportazh, video, audio, podcast, etj.), duke përdorur platforma si anchor.fm, spotify ose platforma a aplikacione të tjera të aksesueshme. Studentët do të mësojnë si të xhirojnë apo krijojnë historitë e tyre, si t’i editojnë dhe si t’i përshtasin.
Moduli i dytë i quajtur “Arti i rrëfimit të një historie” do t’u mësojë studentëve praktika dhe metoda për të shkruar një histori efikase që të pushton vëmëndjen. Pjesë e këtij moduli do të jetë edhe e folura në publik.
Moduli i tretë ka të bëjë me format artistike të shprehjes (si performanca të ndryshme artistike, etj.) forma që synojnë të ngrejnë një urë komunikimi me njerëzit për të ndryshuar mendjet dhe zemrat.
Moduli i katërt i quajtur “Historia jote përmes medias sociale” do të mësojë studentët se si ta përshtasin historinë e tyre për një audiencë në median sociale. Në fund të këtij programi studentët do të mësojnë se si të zhvillojnë strategji për rritjen e ndjekësve (followers), të krijojnë fushata sociale, se si të krijojnë përmbajtje (content), dhe se si të analizojnë të dhënat.
Bashkëpunimi me Pro LGBT
Trajnerët e përzgjedhur do të kenë të gjithë mbështetjen logjistike dhe organizative nga ana e ProLGBT, që është organizata zbatuese e këtij projekti. Trajnerët do të kontraktohen në bazë të kontratës së shërbimeve individuale.
Përveç modulit të parë i cili do të zgjasë 3 orë, trajnerët çdo dy javë do të takohen me të rinjtë dhe do të vazhdojnë trajnimin më specifik. Çdo seancë trajnimi do të zgjasë 3 orë me pushimin të përfshirë. Kohëzgjatja e trajnimeve do të jetë nga muaji Shtator 2022– Dhjetor 2022.
Kualifikime dhe kërkesa të tjera
· Aftësi për të vepruar në mënyrë profesionale dhe për të ofruar trajnime interaktive për audiencën e synuar. Ne presim që trainimet të bëhen në një formë që mundëson pjesëmarrjen e të gjithëve.
· Aftësi të mira komunikimi dhe aftësi për t’iu përgjigjur pyetjeve që mund të ngrihen gjatë trajnimit;
· Një CV të hollësishme;
· Një letër motivuese që tregon se si eksperienca e punës apo formimi profesional janë të lidhura me kriteret e mësipërme dhe se si personi që po aplikon do të jetë i aftë të ndërtojë një kurrikulë trajnimi.
Ju lutemi dërgoni aplikimin tuaj me e-mail tek: [email protected]
Afati për paraqitjen e dokumenteve të kërkuara është 25 Gusht, 2022. Aplikimet do të shqyrtohen nga një komision përzgjedhës i përbërë nga stafi i ProLGBT.