Tek “Logu i Shkëndijës”, prezantohet “Universitari”
Të shtunën e 7 marsit, ditën e mësuesve, u përurua gazeta studentore “Universitari”. Gazeta e përdyjavshme, është vënë në funksion të lëvizjes “Për Universitetin”, një lëvizje studentore mjaft aktive ndaj vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë ndaj sistemit arsimor universitar. Duke filluar që nga reforma e re e arsimit, protestat ndaj vendimit të shpërnguljes së Fakultetit Gjeologji – Miniera etj.
Së fundmi, përveç denoncimit në faqen e facebook-ut, kjo lëvizje ka vendosur të publikojë çdo denoncim të studentëve, pedagogëve, çdo protestë dhe nismë që ndërmarrin, në formën e printuar. Gazeta “Universitari” është botuar me ndihmën e Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror dhe sipas njoftimit të bërë në faqjen e facebook-ut, thuhet se:
“ Ajo u përket të gjithë studentëve dhe pedagogëve që përpiqen për arsim publik emancipues. “Universitari” mirëpret sidomos kontributet studentore në shkrime kritike dhe analitike, si edhe dëshmi të jetës së vështirë universitare dhe sociale të tyre”.
Gjatë përurimit të saj, njëri prej studentëve tha se ishte zgjedhur pikërisht 7 marsi, ditë e shënuar për arsimin shqiptar dhe me shpresën se ashtu siç ndikoi Mësonjëtorja e Parë Shqipe, edhe “Universitari” të mund të lërë një gjurmë sado të vogël.
Në editorialin e numrit të parë të gazetës, thuhet se është zgjedhur emri “Universitari” sepse:
“Kjo gazetë – në kushtet e mosinformimit dhe dezinformimit të masave studentore në lidhje me reformën që po ndërmerret për arsimin e lartë; e mbylljes së televizioneve për zërat kritikë dhe hapjes së tyre vetëm për eksponentët qeveritarë në bashkëpunim me përfaqësuesit e interesave privatë; e çorganizimit të studentëve nga forumet rinore partiake që problematikat reale i keqadresojnë në dobi të klaneve të tyre politike; dhe në ato të mungesës së një hapësire ku studentët dhe pedagogët, pra universitarët, të artikulojnë kushtet mësimore dhe sociale, të kritikojnë reformën dhe autoritarizmin në universitet – u shfaq si domosdoshmëri ekzistenciale”.
Gazeta shihet si medium denoncimi nga ana e studentëve e pedagogëve dhe domosdoshmëri pasi studenti nuk merret fare në konsideratë nga i gjithë procesi riformatues i arsimit të lartë, por vetëm si debitor me detyrime financiare. – thuhet në editorial.
“Universitari” synon të jetë medium i pavarur dhe zëri i gjithë studentëve nëpër Shqipëri, ndryshe nga ato pak gazetat e Universiteteve që shpërndahen në rrethe të vogla dhe udhëhiqen nga pedagogë.
Gazeta e përdyjavshme, do të shpërndahet falas si fillim vetëm nëpër Universitetet dhe konviktet e Tiranës, apo qoftë edhe në Bibliotekën Kombëtare, por synimi është që me ndihmën e studentëve nga rrethet, të shpërndahet në gjithë vendin. Pasi përmes artikujve kritikë, reportazheve nga terreni, përkthimeve teorike, denoncimeve studentore ndaj dukurive negative në universitet dhe rubrikave të tjera të natyrës social-kulturore synon të përfaqësojë gjithë universitarët.