Takime informuese në universitete mbi rëndësinë e ndalimit të armëve bërthamore
Në kuadër të projektit “Të rinjtë u thonë jo armëve bërthamore” mbështetur nga Maypole Fund, u realizuan një sere takimesh informative në universitete për të informuar dhe ndërgjegjësuar të rinjtë mbi nevojën për ndalimin e armëve bërthamore si një mënyrë për të arritur paqen.
Këto aktivitete mbështeten financiarisht nga Fondi Maypole dhe organizohet në kuadër të lëvizjes për ndalimin e armëve bërthamore “International Campaign to Abolish Nuclear Weapons (ICAN)”. Suela Lala është aktiviste e kësaj lëvizjeje dhe aktiviste për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.
Ka një lëvizje globale e cila synon ndalimin me anë të një traktati ndërkombëtar të armëve bërthamore. Armët bërthamore janë të vetmet armë të shkatërrimit në masë të cilat ende nuk janë ndaluar me një traktat ndërkombëtar siç ka ndodhur me armët kimike, biologjike, minat antikëmbësorike dhe municionet kasetore. Kostoja e mbajtjes së arsenalit bërthamor është e jashtëzakonshme dhe nga një studim rezulton se në vitin 2010 kjo kosto ishte e barabartë me prodhimin e brendshëm bruto të një vendi si Bangladeshi me 160 milionë banorë. Këto janë disa nga arsyet se përse duhet rritur ndërgjegjësimi dhe informimi i njerëzve në mbarë botën në mënyrë që të ushtrojnë presion tek shtetet e tyre për arritjen e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare që do të stigmatizonte, ndalonte dhe eliminonte armët bërthamore.
Në kuadër të projektit aktivitetet u mbajtën në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, në Universitetin Beder dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Studentët i pritën me mjaft interes këto takime informuese.
Fondi Maypole: Para nga gratë për gratë
Maypole Fund është një organizatë grash pacifiste me vendndodhje në Angli. Kjo organizatë mbështet nismat e grave si individë apo si grupime joformale.
Maypole Fund mbështet ide për projekte në lidhje me paqen dhe sigurinë, antimilitarizmin, dhunën ndaj grave, armët bërthamore, mjedisin dhe autonominë sociale dhe politike të grave.
Maypole mund t’ju ndihmojë me grante deri në £750.
Fondi Maypole u themelua në vitin 1986 nga gra të përfshira në lëvizje për paqe. Sot, janë një grup feministesh me prejardhje të ndryshme politike.
Zakonisht, janë burrat ata që zotërojnë dhe kontrollojnë paratë. Paratë e fondit Maypole u jepen grave nga gratë për t’u përdorur nëpër projekte dhe grupi menaxhues i këtij fondi përbëhet nga gra.
Synimi ynë është të mbështesim aktivitete që promovojnë paqen nga individë gra apo grupe grash me qëllim përmirësimin e klimës së paqes, drejtësisë dhe mjedisit. /l.k./