Sulmohen aktivistët e Lëvizjes për Universitetin

“Militantë të PD na kanë rrethuar”, thonë aktivistët e Lëvizjes për Universitetin. Aktivistë të Lëvizjes për Universitetin denoncojnë se militantë të dhunshëm të Partisë Demokratike kanë dhunuar dhe larguar me dhunë studentët aktivistë nga qendra e protestës.
Bora Mema, aktiviste e Lëvizjes për Universitetin tha për Historia Ime se militantët e partive politike kanë krijuar kordone njerëzorë për të ndaluar studentët aktivistë që të marrin fjalën apo që të komunikojnë me gazetarët që ndodhen në terren.
“Na kanë rrethuar me kordonë, nuk lëvizim dot. Nuk e besoj dot! Situata është shumë keq. Po sillen në mënyrë të dhunshme”, tha për HI aktivistja, studente e Fakultetit të Filologjisë. Më herët, pedagogu Jani Marka, gjithashtu aktivist i Lëvizjes Për Universitetin nuk u lejua që të fliste me megafon. Televizionet transmetuan pamje direkte nga momenti kur Marka u dhunua dhe nuk u lejua ta përfundonte fjalën e tij “Ne do të vazhdojmë të protestojmë siç kemi bërë gjithmonë”.
Gazetari i News 24 i cili ndodhej në protestë, tha se “ka informacione që pjesëtarë të forumeve partiake ndodhen në mes të protestës dhe po përpiqen ta kapitalizojnë atë”. Ndryshe nga ditët e tjera, pankartat me thënie të mençura dhe kërkesat e studentëve janë zëvendësuar nga flamuj të mëdhenj tipikë nga ato që përdoren nëpër manifestimet e partive politike. (vijon)