Studimi: 30 vjeçarët e Shqipërisë më të pashkolluarit në Evropë

Teksa Shqipëria përjetoi një zgjerim të ndjeshëm të studentëve në arsim të lartë gjatë dekadës së kaluar, sërish vendi ynë paraqitet me mungesa të mëdha ërsa i përket përqindjes së të arsimuarve. Shqipëria renditet shumë post fqinjëve të saj ndërsa problem mbetet ende mospërputhja e studimeve me nevojat e tregut të punës.
Zyra Evropiane e Statistikave raportoi se gjatë vitit të kaluar 39.9 për qind e 30-34 vjeçarëve në vendet e BE-se kishin mbaruar studimet e larta. Kjo grup moshë konsiderohet si më aktivja në tregun e punës dhe arsimi i saj lidhet edhe perspektiven e zhvillimit afatgjatë ekonomik të një vendi.
Në vendet e zgjerimit përqindja e kësaj grupmoshe me arsim të lartë është shumë më e ulët, por Shqipëria e ka këtë tregues më të ulët se të gjitha vendet në Europës përfshirë edhe ato të Ballkanit. Në vitin 2016 vetëm 21 % 30 vjeçarëve shqiptare kishin arsim të lartë, teksa në Malin e Zi ishin 33%, në Serbi 30%, Maqedoni, 38%, Turqi 26%, Bosnjë 23%.
Fushat e studimit ku vajzat diplomohen më shumë janë në biznes, administrim dhe ligj (27,2 %), shëndet dhe mirëqenie (16,3 %), shkenca sociale, gazetari dhe informacion (13,6 %) dhe arte (13,5 %).
Ndërsa fushat e studimit, ku diplomohen më së shumti djemtë, janë biznes administrim dhe ligj (33,7 %), inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (13,8 %), shkenca sociale, gazetari dhe informacion (9,7 %). Fusha e studimit, më e dominuar nga vajzat e diplomuara është fusha e shkencave të arsimit në të cilën 80,5 % e studentëve të diplomuar janë vajza, ndjekur nga ajo e shëndetit dhe mirëqenies me 76,9 % të studentëve të diplomuar vajza, dhe arte dhe shkenca humane (75,0 %).
Ndërsa djemtë dominojnë më shumë në fushën e shërbimeve (72,0 % e të diplomuarve janë djem), ndjekur nga inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (60,2 %).
Gratë mbi 65 vjeç me arsim bazë janë 79,5 % ndërsa burrat 62,3 %. Vetëm 4,8 % e grave në këtë grupmoshë janë me arsim të lartë, kundrejt 14,1 % të burrave. Në popullsinë 25-39 vjeç, gratë me arsim të lartë janë 29,8 % ndërsa burrat 21,7 %. Në këtë grupmoshë, 48,5 % e grave janë me arsim bazë ndërsa tek burrat kjo përqindje është 43,7./k.j
Burimi: Monitor