Studim: Vajzat lexojnë më shumë online, djemtë preferojnë printin
Sipas një vëzhgimi të National Literacy Trust, vajzat janë më të prirura të lexojnë në internet sesa djemtë e së njëjtës moshë. Raporti tregon se vajzat e kanë më të lartë dëshirën për të lexuar për kënaqësi.
Vajzat janë shumë më të lidhura me format e reja teknologjike të të lexuarit si Facebook, e-mail dhe mesazhet ndërsa djemtë ndihen më mirë me leximin tradicional, pra në letër të printuar, si gazeta apo manuale.
Vëzhgimi i bazuar në përgjigjet e 32,000 nxënësve nga 130 shkolla të ndryshme në Britani, tregoi se vajzat kanë dëshirë më të lartë se djemtë për të lexuarin si një mjet argëtimi. Numri më i lartë i fëmijëve që lexojnë për kënaqësi libra jashtëshkollorë, është i vajzave. Më shumë se 20% e djemve deklaruan se nuk kanë lexuar kurrë një libër për kënaqësi.
Nga ana tjetër, djemtë kishin dëshirë të lexonin materiale të printuara si për shembull librat komikë apo gazetat. 38% e tyre deklaruan se lexojnë gazetat të paktën një herë në muaj, kundrejt 30% të vajzave. Gjithsesi djemtë treguan një nivel mjaft të ulët të përjetimit të kënaqësisë nga leximi. Ata lexojnë më rrallë dhe nuk janë shumë entuziastë rreth letërsisë.
Raporti sugjeron se prindërit janë shumë të rëndësishëm në këtë pikë. Angazhimi i prindërve ndikon në pëlqimin apo jo të leximit të fëmijës, në varësi se sa interesohet. 1 në 4 fëmijë pranonin në raport se “Prindërve të tyre nuk u intereson nëse ata shpenzonin kohë duke lexuar”.
Drejtori i National Lireracy Trust, Jonathan Douglas, thotë: “Duhet punuar më shumë me prindërit që të kuptojnë se të orientosh fëmijën drejt leximit që në moshë të vogël është përcaktuese për të ardhmen e tij”.