Studentët e infermierisë në ditën e dytë të grevës, përplasje fizike me policinë në mbrëmje, nuk arrijnë marrëveshje as me ministren e Arsimit
Studentët e transferuar nga universitetet private në degën e infermierisë, vijojnë sot ditën e dytë të grevës. Ata kërkojnë uljen e tarifës së shkollimit, e cila sipas tyrë është 7- fish më e lartë se studentët e tjerë.
Tentativa e tyre për të futur krevatë portativë në ambjentet e fakultetit u bllokua nga policia dhe u bë shkak për një konfrontim fizik mes palëve.
Pas konfrontimit me policinë studentët në grevë janë vizituar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
“U mashtruat nga Universitetet piramidë që ishin më parë. Kur nënshkruat kontratat u njohët me kushtet dhe tarifat. Po kërkoni të ndryshoni rregullat në mes të rrugës. Ju nuk jeni pjesë e proçesit meritëpreferencë. Ju bëmë baras me strudentët që ishin në shtet. Përgjegjësia jonë është shansi i dytë që ju dhamë”, u shpreh Nikolla.
Studentët nuk arritën asnjë kompromis me ministren e Arsimit.
“I kërkuam që 25 deputetë socialistë të cojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë pasi mendojmë se ai bie ndesh me Kushtetutën. Por kjo kërkesë nuk u pranua”, pohoi një nga studentët.
Këta studentë duhet të paguajnë 235 mijë lekë në vit, ndërsa studentët e tjerë që janë pranuar sipas parimit meritë-preferencë pas Maturës Shtetërorë, paguajnë 35 mijë lekë në vit. Diferenca e tarifës për studentët e transferuar nga universitetet private të mbyllra është rreth 200 mijë lekë.
Disa prej tyre pretendojnë se në universitetet private kishin përftuar bursa dhe paguanin rreth 500 euro. Ndërkohë që tani duhet të paguajnë më shumë.