Sociologët: Koha ka përkeqësuar marrëdhëniet prind – adoleshent
Sipas të dhënave, gati 80 adoleshentë në kryeqytet janë raportuar gjatë këtyre nëntë muajve si të larguar nga banesat gjatë konflikteve të tyre me prindërit. Pas kërkimit policor ata janë rigjetur brenda pak ditësh, por kjo tregon se marrëdhëniet prind – fëmijë janë në “krizë”.
Nisur nga rasti i familjes Kajtazi, Top Channel shkruan se ka bërë një intervistë me sociologun Gëzim Tushi për të kuptuar më shumë rreth këtyre marrëdhënieve.
Për sociologun Tushi ky rast tregon se çfarë po ndodh me adoleshentët dhe me gjeneratën e re të shoqërisë shqiptare. Ai thotë se ky është një fenomen që duhet bërë kujdes, pasi është fenomen i përgjithshëm që përbën tipologjinë e adoleshentëve të sotëm.
“Duhet ta vlerësojmë më shumë seriozisht faktin që koha e sotme po sjell agravime të këtyre konflikteve mes adoleshentëve dhe dy figurave kryesore që vërtiten rreth tyre dhe kanë një lloj autoriteti mbi ta, siç janë prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë”, tha sociologu.
I pyetur se çfarë ka ndryshuar tek adoleshentët e sotëm, ai thotë se adoleshentët e sotëm janë rritur më shumë sesa koha. Duke bërë që jo vetëm ta ndiejnë veten të rritur, po dhe më të ditur se prindërit, më të ditur se mësuesit në shkollë.
“Të ndodhur në këto rrethana e kanë shumë të vështirë të pranojnë një lloj prindërimi të vjetër, pa kuptuar që kemi këtë adoleshentin e rritur, duke kërkuar që ta vendosim në disa korniza etike, morale që janë të papërshtatshme për kohën. Prindërimi në familje është në krizë, po dhe në shkollë autoriteti i mësuesit është në krizë”, thotë Tushi.
Ndërkohë psikologia Oriola Plaku thotë se shumë e rëndësishme është komunikimi prind – fëmijë. Ajo thotë se “prindërit duhet të komunikojnë me fëmijët si partnerë, një familje e kohës së sotshme nuk është më familje që favorizon autoritetin vertikal”, shpjegon psikologia.