Pinkwashing (Shpëlarje rozë) – Strategji marketingu dhe politike që synon promovimin e rrejshëm të produkteve apo programeve si progresive, tolerante dhe moderne.
Në javët e fundit, skandalet në shkolla të mesme të ndryshme të vendit duket se po ndjekin njëri-tjetrin.
Pas përgjimeve të emisionit investigativ Stop, ku mësuesit e shkollës “Jakov Xoxa” në Fier shfrytëzonin seksualisht nxënëset e tyre të mitura, duke u krenuar me aftësitë e tyre seksuale me njëri-tjetrin, saga e përdhunimeve në shkolla po vazhdon, e po ndiqet dhe nga të tjerë skandale me pasoja serioze për mirëqenien e qindra nxënësve të sistemit arsimor publik.
Ditën e djeshme, një helmim i përsëritur ndodhi në gjimnazin “Janaq Kilica”, po në qytetin e Fierit.
58 nxënës dhe 2 mësues u helmuan nga gazi i shpërndarë në ambjentet e shkollës, i cili pas hetimeve të policisë u deklarua si i hedhur nga dy nxënës të papërgjegjshëm dhe rezultonte të ishte gaz për largimin e kafshëve të egra dhe mbrojtjen prej tyre.
Për të qetësuar pasigurinë dhe paqartësinë e prindërve dhe nxënësve, drejtuesja e Drejtorisë Arsimore të Fierit, në prani të mediave, pretendonte se gjendja e shëndetësore e njërës prej nxënëseve a mësueseve, ishte prej shtatëzanisë së saj e jo prej helmimit, duke mos ndihmuar e as ndryshuar aspak helmimin e nxënësve dhe mungesën e përgjegjësisë nga autoritetet shkollore dhe drejtoria arsimore.
Raportimet e mediave, u akuzuan dhe nga vetë ministrja e Arsimit Besa Shahini si dashakeqe në Kongresin e Partisë Socialiste të mbajtur javën e shkuar në Tiranë.
Për kulturën patriarkale në Shqipëri, por edhe në botë, një pjesë të madhe të fajit e ka “media patriarkale” sipas ministres së Arsimit.
“..media patriarkale me burra që spekulojnë me javë duke zbardhur identitetin e viktimave”. Ministria e Arsimit mesa duket,përmes titullares së saj, e sheh më të thjeshtë të akuzojë median sesa të gjej ajo zgjidhjen për mungesat e shërbimeve në strukturat arsimore, që krijojnë skandale të këtyre përmasave.
Pandemi përdhunimesh
Pa kaluar shumë kohë nga skandali i mësuesve abuzues në Fier, në Këlcyrë, ditën e sotme mediat rapprtuan për një tjetër rast përdhunimi të një vajze 19 vjeçare nga shokët e saj të klasës dhe i dashuri.
Pas denoncimit në polici gjatë mbrëmjes së djeshme, raportohet se gjimnazistja e shkollës “Sejfulla Malëshova” në Këlcyrë, ishte filmuar nga i dashuri gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale dhe është shantazhuar më pas përmes kësaj videoje, për kryerjen e marrëdhënieve seksuale pa dëshirë me të tjerë gjimnazistë.
Policia nuk jep detaje për numrin e djemëve që kanë abuzuar me vajzën, por deklaron se ka shoqëruar 12 persona, që kanë parë skenën dhe ka arrestuar 2 prej tyre.
Autoritetet e Shkollës “Sejfulla Maleshova”, nuk kishin dijeni për ngjarjen, e cila kishte dhjetëra nxënës dëshmitar.
Rasti në fjalë, është padyshim i përsëritur dhe i ngjashëm me rastin e përdhunimit të një gjimnazisteje në Kavajë vitin e shkuar, në po të njëjtën periudhë të vitit. Mesa duket në një vit kohë autoritetet arsimore nuk patën kapacitetet dhe as shtysën e duhur për evidentimin dhe parandalimin e rasteve të tilla tronditëse.
Pandemisë së vrasjeve të grave nga bashkëshortët e tyre, po i shtohet një pandemi përdhunimesh, e cila bëhet disa herë më shqetësuese për aq kohë sa ndodh në ambjentet e shkollave publike, ku të tilla raste duhet të diskutohen e shkolla si qendër komunitare, të mos ngelet vetëm parrullë.
Braktisja e shkollës
Para disa ditësh një tjetër investigim shqetësues ngriti këmbanat e alarmit për sistemin arsimor në vend.
Rrjeti i gazetarisë investigative BIRN, raportoi për mijëra nxënës që braktisin arsimin e detyrueshëm çdo vit për shkak të varfërisë, emigrimit dhe kushteve shoqërore.
E si për tu sintonizuar me deklaratat e ministres për feminizmin dhe kundër medias patriarkale e dashakeqe, në investigimin e kryer rezulton se një nga arsyet që ndikojnë në braktisjen e shkollës, është pikërisht mentaliteti patriarkal dhe martesat e vajzave në moshë të re.
As për rastin e braktisjes në masë të shkollës nuk pati ndonjë reagim, pasi mesa duket ethet e kongresit dhe duartrokitet që shoqëruan atë vazhdojnë të mbajnë të shtangur ministren.
Duke u rikthyer sërish te skandalet e ditëve të fundit, vërtet që Ministria e Arsimit proklamon arsim gjithëpërfshirës dhe feminist dhe e cilëson shkollën si qendër komunitare, por a mund të jetë vendgjarja e përdhunimeve në grup, abuzimeve seksuale, helmimeve dhe braktisjes në masë qendër komunitare? Apo sërish është media dashakeqe ajo që po konspiron rreth natyrës rozë të këtyre premtimeve?
Përgjigjet i ka Ministria e Arsimit dhe Ministrja Shahini, ne thjeshtë presim t’i dëgjojmë.