Shqipëria një nga 11 vendet e para të nismës “Lërini vajzat të mësojnë”
Shqipëria është një nga 11 vendet e para ku do të zbatohet nisma globale për të forcuar pozitën e vajzave në gjithë botën përmes arsimimit.
Nisma “Let Girls Learn”, “Lërini vajzat të mësojnë”, ka në qendër vajzat adoleshente, pasi sipas shifrave botërore, numri i vajzave që shkojnë në shkollë bie në mënyrë drastike nga shkolla nëntë vjeçare në të mesmen.
Sipas Zerit të Amerikës, nisma e re e Shtëpisë së Bardhë “Let Girls Learn” (Lërini vajzat të mësojnë), çon më tej fushatën e USAID-it për ndërgjegjësimin e publikut. Gjithashtu synon arsimimin e vajzave adoleshente, që në të ardhmen të ndërtojnë familje të shëndetshme, një komunitet të fortë dhe një të ardhme më të ndritur. Zonja e Parë, Michelle Obama, vizitoi Japoninë dhe Kamboxhën në mars për të mbështetur këtë nismë.
Nisma do të zbatohet në mbi 60 vendet ku është i pranishëm me vullnetarë Korpusi i Paqes. Nga 11 vendet e para ku fillojnë përpjekjet është edhe Shqipëria. Disa nga këto vullnetaret e Korpusit të Paqes u mblodhën së fundmi për një aktivitet në Tiranë.
Varfëria, mungesa e burimeve dhe normat kulturore, i pengojnë vajzat në shumë vende të botës që të vazhdojmë studimet dhe Zonja e Parë, Michelle Obama, është vënë në krye të përpjekjeve për ta ndryshuar këtë realitet. /ATSH