Shpjegim për zgjedhjet në SHBA: Si votohet dhe ku ndahen kandidatët
Fotot nga Washington Post dhe US Today
Shteti i Iowa do të jetë i pari ku, edhe demokratët, edhe republikanët do të votojnë për të zgjedhur kandidatin e preferuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA.
Ndërsa në kampin e republikanëve Donald Trump vazhdon të kryesojë të gjitha sondazhet (me vetëm Ted Cruz që mund ta sfidojë), në kampin e demokratëve beteja është bërë edhe më e ashpër pasi Bernie Sanders, një social demokrat dhe kandidatja Hillary Clinton janë në një barazim statistikor në sondazhet e fundit.
Sanders ndërkohë duket se e ka të sigurt fitoren në shtetin e dytë ku do të votohet, në New Hampshire, ndërsa Clinton në Karolinën e Jugut.
Si funksionojnë zgjedhjet në SHBA
Nga tani deri përpara nëntorit 2016 dy partitë kryesore duhet të zgjedhin një kandidat për zgjedhjet presidenciale. Pra kandidatët e së njëjtës parti tani garojnë me njëri tjetrin brenda partisë dhe për ta votojnë zgjedhësit e regjistruar.
Qëllimi është të fitojnë sa më shumë delegatë në këto zgjedhje që zhvillohen në secilin prej shteteve të SHBA, në mënyrë që të sigurojnë kandidimin zyrtar në konventat respektive (apo në Kongresin e partisë nëse mund të përdornim këtë term).
Në krahuan e republikanëve ka 11 kandidatë ku Donald Trump rezulton të jetë garuesi kryesor. Në anën e demokratëve ka tre kandidatë dhe beteja po zhvillohet ashpër mes Clinton, ish Sekretare e Shtetit dhe Sanders, senator nga shteti i Vermontit.
Tendenca e dy dekadave të fundit ka treguar se kush fiton zgjedhjet në Iowa, ka shanset më të mëdha për të qenë kandidati kryesor i partisë (kështu ka ndodhur me Bill Clinton, me George W. Bush dhe me Barack Obamën në vitin 2008).
Nëse Sanders fiton në Iowa dhe në New Hampshire, kjo do t’ia bëjë garën Clintonit shumë të vështirë, ndonëse kandidatja e fortë vazhdon të qëndrojë në krye të sondazheve në rang kombëtar.
Ku ndahet Clinton me Sanders?
Sanders ka një mbështetje shumë të madhe mes të rinjve dhe votuesve për herë të parë, ekzaktësisht siç ndodhi me Obamën në 2008.
Ndërsa Clinton ka mbështetje më të madhe mes votueseve gra, atyre me ngjyrë dhe atyre mbi 45 vjeç.
Në fushën e shëndetësisë Sanders është më radikal dhe premton që t’i japë fund monopolit të kompanive të sigurimit shëndetësor duke e çuar SHBA drejt një sistemi më të ngjashëm me sistemin e shëndetësisë në shumë vende të Europës (ku askujt nuk i mohohet shërbimi shëndetësor pavarësisht nëse është i punësuar, i siguruar apo jo).
Clinton nga ana tjetër synon të vazhdojë reformën në shëndetësi bazuar mbi paketën ligjore që vendosi administrata e Obamës (ajo që quhet ObamaCare).
Ajo thotë se Kongresi amerikan i kontrolluar nga republikanët nuk do ta lejonte një reformë radikale, si ajo që premton Sanders. Gjithashtu Clinton e akuzon Sanders se ai nuk është në gjendje të tregojë me detaje se si do ia arrijë qëllimit të tij.
Mbështetësit e Sanders, nga ana tjetër, e akuzojnë Clinton si pjesë të establishmentit politik dhe ekonomik në vend, ndërsa ajo vetë e ka bazuar fushatën te imazhi i një politikaneje pragmatiste, realiste dhe trashëgimtare e administratës së Obamës.
Fushata e Sanders, si asnjëherë tjetër më parë në historinë politike të SHBA është financuar nga miliona individë përmes donacioneve të vogla, por ai nuk ka pranuar asnjë donacion nga koorporatat apo miliarderët, ndryshe nga Clinton dhe kandidatët e tjerë në këtë garë. Ky fakt e ka bërë senatorin 72 vjeçar të perceptohet nga demokratët si kandidat më i ndershëm dhe më i pandikuar nga interesat e Wall Street, të bankave apo koorporatave të mëdha.
Sanders kërkon të limitojë pushtetin e Wall Street dhe të “super bankave” me argumentin “Too big to fail – Too big to exist” – Nëse një bankë është shumë e madhe për ta lenë të falimentojë, atëherë ajo nuk duhet të ekzistojë fare.
Argumentat e Sanders për të mos lejuar më që të rinjtë të zhyten në borxhe për të paguar studimet e tyre duken si një poezi në veshët e të rinjve, ndërsa Clinton perceptohet si një politikane e sistemit që kërkon të ruajë status quo-në. Nga ana tjetër, Clinton qartazi perceptohet si më e kualifikuar në politikën e jashtme. Në këtë pikë, Sanders nuk përton të rikujtojë publikun se ndryshe nga Clinton ai ka votuar në senat kundër ndërhyrjes së SHBA në Irak.
Clinton duket më e vendosur për të vendosur më shumë kontrolle dhe filtra në pajisjen e qytetarëve me armë dhe e akuzon Sanders se nuk kërkon mjaftueshëm në këtë drejtim (Sanders është senator i një shteti me shumë hapësira rurale ku tradita e votuesve është fortësisht e lidhur me përdorimin e armëve të gjahut).
Që të dy kandidatët mbështesin të drejtat e emigrantëve, të komunitetit LGBTI, barazinë gjinore dhe kanë mendime të përafërta për çështje të tjera sociale.
Pyetja që analistët shtrojnë është nëse do të përkthehet sot në mbrëmje në vota konkrete mbështetja e madhe që Sanders ka mes të rinjve, të cilët historikisht janë ata që pavarësisht entuziasmit paraqiten më pak në votime.
Presidenti Obama ka vlerësuar të dy kandidatët (i treti është ish Guvernatori i Maryland Martin O’Malley) por nuk ka mbajtur deri tani anën e askujt.
Edhe Clinton edhe Sanders rezultojnë të jenë fitues në sondazhet kombëtare nëse do u duhet të përballen me Donald Trump.
/k.p./