Shkencat Sociale nuk sjellin benefite për tregun e punës

Në një fjali kaq të thjeshtë, thënë sikur të ishte përnjëmend e vërtetë, ndoshta edhe e pakundërshtueshme, përcillet mjaft qartë sesa dhe sesi vlerësohen individët në shoqërinë tonë.
Keni të drejtë! Shkencat sociale nuk sjellin benefite. Fundja, sot pak rëndësi kanë humaniteti apo vlerat! Kujt i duhet sot mendimi kritik, teksa mësojmë si të mendojmë njësoj, ose më saktë, mësojmë si të mos mendojmë fare!
Vërtet, kujt i duhen shkencat sociale?! A keni pasur ndonjë mundësi të kaloni së paku pranë godinës së këtij fakulteti? Do të takoheni me studente/ë dhe pedagoge/ë të përkushtuar, antikonformistë dhe të aftë për të ngritur zërin! Por kujt i duhen sot njerëzit që kanë guximin të artikulojnë haptazi padrejtësitë, aq më pak të ndërmarrin veprime kundrejt tyre! E pra, pyetja na u dashka bërë “Kujt nuk i duhen shkencat sociale”?
Shkencat sociale nuk i duhen kujt! E përse na u dashkan kauzat për barazi gjinore, kur ne legjitimojmë fort patriarkalizmin e ulur këmbëkryq ndër ne! Përse na duhen ne shkencat që adresojnë problemet sociale pa anë e fund të shoqërisë aktuale? Të na tregojnë për shqiptarët që duan të migrojnë, të ikin sa më larg sepse nuk e imagjinojnë dot të ardhmen, ndërkohë që u supozuaka të qenkëshim vendi ideal për të jetuar? Pse na duhen shkencat sociale? Të na flasin për depresionin kolektiv, për humbjen e përgjithshme të shpresës, për mosekzistencën e së tashmes, apo për kotësinë e jetës?
E pra, përse na u dashkan shkencat sociale, kur ato nuk sjellin benefite në tregun e punës? Tregu i punës në rastin më të mirë, të vlerëson vetëm si shumatore notash, të atyre notave skandaloze të përfituara kush e di sesi, notave te ekselentëve dhe ngelësave!
Ndërkohë, ne refuzojmë të jemi pjesë e një tregu që jep një copë punë për ta nxjerrë si arritje në një video, shoqëruar me nje buzëqeshje. Shkencat sociale zhvlerësojnë notën, vlerësojnë dijen. Ne duam të ndajmë perspektiva, dritare horizonti për tematika të shumta, që të mos kënaqemi me pak, që të mos bëhemi papagaj shumëngjyrësh të fjalëve të bukura dhe boshe, që s’i kuptojmë as vetë! Shkencat sociale nuk formësojnë ushtarë të bindur, ne refuzojmë të jemi të tillë. Shkencat sociale mund t’ju flasin papushim për realitetin paralel që është krijuar. Ne mund t’ju flasim për iluzionin e meritokraciosë apo për haluçinacionet se të gjithë kemi mundësi të barabarta, pavarësisht se kush jemi. Në këtë kontekst, dozat e medikamenteve janë shumë të larta!
Shkencat sociale nuk hyjnë në punë! E përse duhet të hyjnë në punë institucionet që duan të fuqizojnë individin, që duan të frymëzojnë bashkimet, ndërkohë që misioni kryesor sot është ta tjetërsosh njeriun në një hiç, ta ulësh, ta përulësh, ta kthesh në një qenie pa shtyllë kurrizore, që ta kesh të thjeshtë ta shfrytëzosh, komandosh! Kur ne na duhen individë robotikë, pse te vlerësojme njerëzit me mendje të gjallë dhe kreative! Shkencat sociale nxisin zbulimin e vetes, rritjen e potencialit personal, ndërkohë që kërkohet nxitja e analfabetizmit që autoriteti të të duket gjeni.
Kujt i duhen shkencat sociale? Në një shoqëri ku vazhdimisht duam të përfitojmë, kujt i duhen njerëzit që luftojnë paragjykimin, diskriminimin, që shqetësohen për gjendjen aktuale dhe vështirësive të përditshme të ditë-natës me të cilat perballemi shumica prej nesh!
Kujt i duhen shkencat sociale! Fakulteti i vlerave, argumenteve, lirisë dhe mendimit kritik. Kujt i duhet Fakulteti i Shkencave Sociale; shpirti i protestave, rebelimit, pranimit, historia brenda historisë!
Shkrim i përgatitur nga Tana Aliaj.