Me palestrat tona të mbyllura prej pandemisë, ky është një shans që djemtë dhe burrat gej të rimendojnë idealet e ngushta mbi pamjen e trupit të tyre.
Për shumë djem dhe burra homoseksual, bllokimi i lëvizjeve prej pandemisë së Covid19 nuk ka sjellë asgjë tjetër veçse shqetësimit dhe ankthit. Janë mbyllur klubet dhe baret tona, hapësirat tona për tu takuar, kërcyer, flirtuar (aq sa mundemi në kontekstin shqiptar); aktivitetet javore që mund të konsiderohen si thelbësore në historinë, identitetin dhe mirëqenien tonë.
Por, me rifreskimin e faqeve të postimeve në rrjetet e mia sociale, duket se mbyllja e palestrave mund të shtojë dhe më tepër ankthin kolektiv që ka kapluar djemtë dhe burrat e komunitetit.
Shumë janë të pakënaqur për ngecjen e veprimtarisë së tyre fizike, efekti i zgjatur që kjo po ka në shëndetin e tyre mendor.
Shumë janë gjithashtu të shqetësuar për ndryshimet në fizikun e tyre, format e humbura, zvogëlimi i masës muskulare, që ka ardhur si pasojë e gjashtë muajve me aktivitet të ngadalësuar fizik. Edhe kjo mund të ndikojë në mirëqenien psiqike.
Në një raportim të rrjetit televiziv ABC mbi festën e Mardi Gras të këtij viti, u publikua një histori që heton presionet dhe trysninë rreth imazhit të trupit dhe fiksimit për të shkuar drejt perfektes. Në kronikën televizive, raportohej se tek “burrat homoseksualë ka një nivel shumë më të lartë të pakënaqësisë së trupit sesa te njerëzit e tjerë”. Njëkohësisht për komunitetin gej “pamja mund të jetë monedhë dhe burim të ardhurash”.
Kërkimet e paraqitura nga Shoqata Kombëtare e Çrregullimeve të Ushqimit në Australi tregojnë se edhe pse burrat homoseksualë përfaqësojnë vetëm rreth 5% të popullsisë totale të meshkujve, ata përbëjnë 42% të meshkujve që kanë çrregullime të të ngrënit.
Një prej çrregullimeve më të shpeshta, e veçantë për burrat e rinj gej është dismorfia muskulore, ose “bigoreksia”, që nënkupton të kundërtën e anoreksisë, me fokus rritjen e masës muskulare duke e çuar atë në ekstrem”, deklaroi për GP News Scott Griffiths, i cili udhëheq nismën Gay Bodies Worldwide.
Nuk është për t’u habitur që palestra është bërë një bastion i kulturës gej vitet e fundit. Një “treg mishi” plot ekzibicionizëm, ku burrat punojnë ekstremisht për të copëtuar dhe gdhendur trupat e tyre, duke u bërë objekte të urryera të vetë dëshirave të tyre. Ndërtohet vetëbesimi, fitohet pranimi nga masa, por qasja e kufizuar do të thotë që vetëm ata me të ardhura të mjaftueshme kanë për të fituar nga kjo kulturë ekzibicioniste.
Fiziku tepër i kuruar dhe i zbukuruar në palestër, vazhdon të shfaqet në postera promovues të klubeve gej, në revista, dhe më shumë se kudo tjetër në pornografi, duke influencuar tepër dhe përmbajtjen e Instagram, me hashtag të dedikuar si #Thirsttraps dhe llogari ekskluzive në platformënOnlyFans.
Por është tinëzare që vetëm një numri të kufizuar të llojeve të trupit ju ofrohet kjo vëmendje e shtuar, duke kthyer trupin e formuar e tepër muskuloz në normë shoqërore. Disa trupa janë të adhuruar, të tjerët jo.
Ky përvetësim i përkrahur nga shumica i një estetike hiper-mashkullore merr disi kuptim kur merren parasysh përvojat e djemve gej dhe përballja e tyre me homofobinë dhe abuzimin.
Kalimi në burrëri: një luftë kundër stereotipave të përhershëm e të bashkangjitura me brishtësinë e shumë djemve gej, që lënë pasoja afatgjata në mirëqenien e tyre.
Muskujt tanë të tejfryrë tregojnë një histori ku burrat u brutalizuan nga policia dhe homofobët, dhe palestra u bë kazerma jonë personale.
Por kam frikë se flirtimi ynë me këto norma të reja ekspozon gjithashtu “femofobinë” dhe homofobinë e internalizuar, që po rritet tej mase në komunitet. Frika për tu dukur si femëror apo të brishtë, sepse feminiteti do të thotë dobësi.
Riprodhimi i vazhdueshëm dhe i tepruar i pritshmërive rreth imazhit të trupit bëhet një pasqyrë për të gjithë komunitetin.
Pyes veten, a do ta mundim dot nënshtrimin që kemi ndaj muskujve të tejfryrë, që qëndrojnë mbi dëshirat tona kolektive dhe ankthet e përbashkëta?
Dhe ndërsa lëvizja për pozitivitetin e imazhit trupor, është marr peng nga marka dhe brande të famshme, që nxisin qëllimet e tyre komerciale me promovimin e saj, me palestrat e mbyllura, ndoshta kjo është ndoshta mundësia e përsosur për të hequr nga shpatullat peshat e mëdha të pritshmërive tona kulturore.
“Asnjanësia e trupit” mund të sigurojë një zgjidhje të problemit; një lëvizje që distancohet nga fuqia thelbësore që ne i japim pamjes së jashtme dhe tërheqjes, dhe promovon zbutjen e gjykimeve tona të jashtme.
Duke neutralizuar trupin dhe pritshmëritë për të, ne jemi të prirur të vlerësojmë më mirë arritjet e tij, shëndetin, potencialin dhe kufijtë e asaj që mund të trupi ynë mund të bëjë për ne, shumë përtej standardeve të bukurisë të riprodhuara shoqërisht. Asnjanësia e trupit mund të ndihmojë në rrëzimin e hierarkive të trupit që diktojnë dëshirën dhe besimin tonë.
Duhet të kërkojmë më shumë përfaqësim nga influencuesit tanë: fotografët, kineastët, producentët që arkivojnë dhe kurojnë kulturën gej. Ne kërkojmë të shohim më shumë larmi të trupit të përfaqësuar në shtyp dhe ekran, si nxitje të padiskutueshme të dëshirës seksuale. Ne kujtojmë që dëshirat tona nuk janë fikse, ato janë të paqëndrueshme, të ndikuara nga kultura që na rrethon dhe prej së cilës riprodhojmë.
Në pritje që masat parandaluese dhe bllokimet e lëvizjes do të lirohen, ndoshta është koha që ne t’i vendosim qëllimet tona në një grup të ri vlerash.
—
Mbi autorin:
Dejan Jotanovic është një shkrimtar i pavarur me qendër në Narrm / Melbourne, shkrimet e të cilit zakonisht rrotullohen rreth temave të feminizmit, gjinisë, teorisë queer, politikës dhe kulturës pop.
Twitter: @heydejan
Burimi: The Guardian